Agjencia “Alxher Services” vazhdon të mashtrojë njerëzit për punësim jashtë vendi, marrin lekët e nuk i punësojnë

Shqipëria

Agjencia “Alxher Services” vazhdon të mashtrojë njerëzit për punësim jashtë vendi, marrin lekët e nuk i punësojnë

Më: 16 janar 2025 Në ora: 20:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Emisioni “Fiks Fare” ka trajtuar sot rastin e një agjencie punësimi që mashtronte njerëzit për punësime sezonale jashtë vendit duke i marrë paratë, pa u gjetur punë.

Një familje u ankua në emision se kompania “Alxher Services” u kishte premtuar se do t’i punësonte në Greqi, por u kishin marrë 600 euro dhe nuk u kishin gjetur punë.

Denoncuesit dhe kompania kishin nënshkruar një kontratë që në rast se nuk gjendej kontratë punësimi për 6 muaj paratë do të ktheheshin, por kjo pikë e kontratës nuk është respektuar nga ana e agjencisë. Në kushte të tilla, zgjidhja e vetme për qytetarët ishte adresimi te Fiks Fare.

“Kontaktova me kompaninë. Më treguan se ishin serioz dhe më priten te zyrat e tyre. Më dërguan kontratën në email, e printova dhe bëra pagesën nëpërmjet bankës”, thotë qytetarja, e cila ka si provë kontratën dhe faturën e bankës.

Pas pagesës, qytetarja tregon se sjellja e kompanisë ndryshoi. Ata nuk i përgjigjeshin më telefonatave të saj dhe nuk i ofruan kontratën e punës.  Në këto kushte dhe pasi kishin kaluar më shumë se 6 muaj, familja nga Gjirokastra shkoi për të kërkuar paratë mbrapsht, por nuk arritën t’i merrnin. Çifti Dudumi shkoi disa herë në adresën që kompania “Alxhers Services” kishte vënë në kontratën me ta, por asnjëherë nuk i gjetën në zyrë. Më pas ata iu drejtuan komisariatit Nr 2 të Tiranës ku depozituan një kallëzim për mashtrimin që u ka bërë kompania Alxhers.

Kjo nuk është një kompani e panjohur për Fiks Fare, pasi 7 muaj më parë Fiks ka sjellë ankesën e 3 qytetarëve që kishin paguar nga 350 euro secili për t’u punësuar në Angli.

Agjencia u kishte premtuar kontratat e punës në Angli brenda 4 muajsh, por punësimi i tyre nuk u realizua asnjëherë.

Pas ndërhyrjes së Fiks Fare,  administratorja e kësaj kompania u ktheu 3 qytetarëve pagesën.

Fiks Fare kontakton me agjencinë Alxhers si aplikues për punë në një shtet të Evropës.

Agjensia iu përgjigj menjëherë bashkëpuntores së Fiks Fare dhe i tregoi adresën e re të zyrave, të cilat ndodheshin në të njëjtën zonë me të parën, por në një pallat tjetër.

Bashkëpunëtorja e Fiksit takon administratoren Xherina Nasufi e cila i tregon se kompania nuk e ka shkëputur aktivitetin për asnjë çast. Përsa i përket punësimit në Evropë ajo i kërkon 500 euro për gjetjen e kontratës së punës.

Pasi ka siguruar provat dhe ka vërtetuar mashtrimin e hapur të agjencisë së punësimit, Fiks Fare, është përballur me pronaren. Xherina Nasufi tentoi të shmangej fillimisht, por nuk ia doli dot.

“Njerëzit më të shëmtuar janë gazetarët, pasi përfitoni nga situatat e njerëzve. E zgjidh vetë me njerëzit, pse duhet të flas me ju. Më kanë denoncuar njerëzit, por e zgjidh vetë me ta” shprehet ajo e acaruar para gazetarëve të Fiksit.

Duke mos patur asnjë justifikim, pronarja e kompanisë bën sikur telefonon policinë. Gazetarja e Fiks Fare e inkurajo ta bëjë këtë veprim, por sigurisht që nuk përfundohet nga ana e kësaj kompanie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat