Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv, ka folur për ngjarjen e rëndë, ku një polic i qarkullimit rrugor u hodh nga lartësia.
Lala konfirmoi se polici ka qenë në grupin e personave që kanë ndaluar djalin e biznesmenit Samir Mane, pasi ky i fundit ka përplasur disa mjete dhe ka kundështuar kryerjen e testit të alkoolit. Më pas ai është thirrur nga AMP dhe sipas gazetares i është kërkuar llogari për veprimet që ka kryer.
“Azbi Spahiu është 57 vjeç dhe është në Renimacionin e Traumës, gjendja tashmë është e stabilizuar.
Azbi Spahiu ka trajtuar rastin e djalit të Samir Manes, i cili ka goditur disa mjete të parkuara në rrugë. Është konstatuar nga punonjësit e policisë. Nuk ka pranuar të bëjë testin e alkoolit dhe normalisht si rregull, kur një individ refuzon ka mekanizma se si mund të bëhet testi i alkoolit.
Është vendosur të arrestohet dhe është shoqëruar në bllokun e sigurisë. Nuk ka qëndruar gjatë sepse ka pretenduar se nuk është mirë dhe është transferuar në spital. Të nesërmen është liruar nga prokurori që e ka konsideruar arrestimin të paligjshëm. Nuk është dokumentuar historia. Azbi Spahiu është thirrur nga zyrtarë të AMP dhe i është kërkuar llogari pse është bërë. Gjendur në kushte presioni ai i ka shkruar të birit duke thënë se po i shkatërronin karrierën me lojëra, dhe pastaj është hedhur nga lartësia.
Është një çështje që duhet hetuar. Nëse Martin Mane është arrestuar dhe ka qenë nën efektin e alkoolit duhej bërë testi i alkoolit dhe të mbahej përgjegjësi. Nëse Martin Mane është arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe vetëm se është djali i biznesmenti, atëherë mund të ngremë dyshime se ndoshta struktura bën shantazh. Në të dyja drejtimet po ta kapim, duhet një hetim. Sot jam në krahun e Azbiut sepse ai është hallka më e dobët, ku është tentuar të shkarkohet e gjithë përgjegjësia.
Nëse është arrestuar dhe është favorizuar ka nevojë për hetim. Nëse është arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe është tentuar sulm ndaj Samir Manes, duhet sërish hetim. Heshtja e insitucioneve më bën të dyshoj se nuk është një situatë bardhë e zi.
AMP nuk ka asnjë hetim penal në lidhje me këtë situatë. Nëse punonjësit e policisë e kanë shkelur, pse nuk ka procedurë hetimore?
Mjegullnaja që është hedhur ngre dyshime. Duke e parë Azbiun si hallkën më të dobët, por duke i njohur edhe integritetin, në të gjithë kërkimet që kam bërë dhe bisedat që kam patur me kolegët e tij, e shohin dhe e pikturojnë si njeri me ndërgjegje të lartë profesionale, me etikë profesionale, prandaj jam krah Azbiut por kundër llumit që ka mbërthyer Policinë e Shtetit.
Kam pyetur dhe kam bisedat me zyrtarë të policisë dhe asnjë nuk jepte shpjegime as për arsyet e shoqërimit të Martin Manes dhe as për lirimin. Policia nuk ka patur kurajon të bëjë një njoftim sqarues por thjesht kanë thënë punonjësi i policisë është hedhur”, tha Lala.