Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, po zhvillon sot një vizitë pune në Kiev, ku po merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm në formatin: “Ukrainë – Evropa Juglindore”.
Ky takim është një ngjarje me rëndësi të veçantë për forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe të sigurisë midis Ukrainës dhe shteteve të Evropës Juglindore dhe do të shërbejë si platformë për diskutime të thelluara mbi zhvillimet aktuale në rajon, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke në një periudhë sfiduese për Ukrainën dhe rajonin në përgjithësi.
Takimi, i organizuar me nismën e Ukrainës, vjen në një moment kritik për Ukrainën, Evropën dhe më gjerë, pasi ai zhvillohet në sfondin e agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore shprehën dënimin e hapur të agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe mbështetjen e plotë për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainë brenda kufijve të njohura ndërkombëtarisht.
Takimi ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit politik ndërmjet Ukrainës dhe shteteve të Evropës Juglindore, me fokus në zhvillimet aktuale politike, ekonomike dhe të sigurisë në rajon.
Shqipëria, si mbështetëse e fuqishme e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, do të theksojë angazhimin e saj për paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajon.
Në kuadrin e kësaj vizite pune, Ministri Hasani përveçse do të takohet edhe me homologun e tij ukrainas, Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Andrii Sybiha, ai to të ketë takime të veçanta me: Presidentin e Ukrainës SH.T. Z. Volodymyr Zelenskyy, Kryetarin e Parlamentit të Ukrainës (Verkhovna Rada), SH.T. Z. Ruslan Stefanchuk, Kryeministrin e Ukrainës SH.T. Z. Denys Shmyhal.
Kjo vizitë pune është një hap i rëndësishëm në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës dhe do të kontribuojë në avancimin e marrëdhënieve të dyanshme, si dhe në forcimin e ndikimit të dy shteteve në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.