Vengu: Përfundon montimi i urës “Bailey” mbi përroin Lezedër, lehtësojmë lëvizjen e 300 banorëve

Shqipëria

Vengu: Përfundon montimi i urës “Bailey” mbi përroin Lezedër, lehtësojmë lëvizjen e 300 banorëve

Më: 17 janar 2025 Në ora: 18:45
Ilustrim

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha sot se batalioni i Xhenios ka përfunduar me sukses montimin e urës “Bailey” mbi përroin Lezedër që lidh fshatrat Fshat dhe Dars me qytetin e Klosit.

“Me ndërtimin e kësaj ure, lehtësojmë ndjeshëm zhvendosjen e rreth 300 banorëve që tashmë kanë qasje më të lehtë në dy qendrat shëndetësore dhe në shkollat e zonës. Një tjetër hap i rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës dhe mbështetjen për komunitetet lokale”, u shpreh Vengu.

Ministri i Mbrojtjes është shprehur më herët se gjatë vitit 2025, planifikohet që të ndërtohen 12 ura të reja “Bailey” në disa nga zonat e vendit, ku ato janë më të nevojshme. Urat, si pjesë që lidhin komunitetet, ndihmojnë jo vetëm në çështjet e sigurisë, por edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura do të vazhdojnë misionin për ndërtimin e tyre.

Ministri Vengu, theksoi se gjatë vitit 2024 janë ndërtuar tetë ura “Bailey”, me gjatësi totale prej 207 metrash, duke lidhur komunitete të izoluara dhe lehtësuar jetën e banorëve.

“Plani për 2025 është edhe më ambicioz: 12 ura të reja do të ndërtohen në zonat më të nevojshme të vendit. Puna ka nisur me urën e re mbi përroin Lezedër në fshatin Fshat të bashkisë Klos. Me ritme të larta dhe angazhim të përbashkët, do të vazhdojmë të afrojmë njerëzit dhe të ofrojmë zgjidhje konkrete për sfidat e përditshme të komuniteteve tona”, është shprehur ministri Vengu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat