Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka njoftuar përmes një statusi në rrjetet sociale se simboli i njohur si “Shqiponja”, i cili ka qenë pjesë e sheshit të dikurshëm të Tiranës, do të vendoset në rrethrrotullimin e Gostilit, në hyrje të qytetit të Kukësit.
Majko shkroi: “Kjo u realizua falë mirëkuptimit të mikut tim Lazim Destani (i cili është dhuruesi i saj), miratimit të Edi Ramës dhe bashkëpunimit të bashkisë së Tiranës!”
Në përmbyllje të njoftimit, Majko ka përmendur gjithashtu angazhimin e Bashkisë së Kukësit, e cila po koordinon realizimin e vendosjes së monumentit.
“Albert Halili, kryetari i Bashkisë së Kukësit si protagonist i këtij procesi po kordinon punën për vendosjen e ‘Shqiponjës’!… Mbarësi!” përfundoi ai.