Tiranë, Deputetët debatojnë mbi përdoruesit ligjvënës të SKY/ECC dhe Encrochat, ndërsa SPAK-u vijon hetime mbi të dhënat e tyre

Shqipëria

Tiranë, Deputetët debatojnë mbi përdoruesit ligjvënës të SKY/ECC dhe Encrochat, ndërsa SPAK-u vijon hetime mbi të dhënat e tyre

Më: 17 janar 2025 Në ora: 19:28
SPAK

Në Tiranë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin vendosi sot të krijohet një grup pune për të diskutuar ndryshime në rregulloren e Kuvendit, përfshirë edhe një propozim nga opozita, sipas të cilit deputetët duhet të vetëdeklarohen nëse janë apo jo përdorues të platformave SKY/ECC dhe Encrochat. Socialistët rrëzuan propozimin e sjellë nga Partia Demokratike, por vendosën që çështja të shqyrtohet në mënyrë më të thelluar nga një grup pune. Informacionet e marra nga këto dy platforma kryesore, SKY/ECC dhe EncroChat, po ndihmojnë hetimet e SPAK-ut për një numër të madh ngjarjesh kriminale, dhe mbi veprimtarinë e grupeve të krimit të organizuar.

Opozita kërkoi sot në këshillin e rregullores dhe mandateve që të zbardhen marrëdhëniet e deputeëve shqiptarë me platformat e koduara SKY/ECC dhe EncroChat, që përdornin grupet kriminale, përmes një vetëdeklarimi nëse janë apo jo edhe ata përdorues të këtyre aplikacioneve të shfrytëzuara nga bota e krimit.

Propozimi i Partisë Demokratike kërkonte që secili deputet të plotësonte një formular vetëdeklarimi mbi përdorimin ose jo të platformave SKY/ECC dhe EncroChat, dhe këto formularë të publikohen në faqen zyrtare të Kuvendit.

“E rëndësishme është që të biem dakord për parimin. Parimi është që t’u bëjmë transparencë qytetarëve dhe së dyti të ruajmë integritetin e pacënuar të Kuvendit të Shqipërisë. Një numër i caktuar i deputetëve nuk mund të bëjnë pis institucionin e Kuvendit”, tha kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Nga opozita u kërkua edhe që nga SPAK-u të merret informacion mbi deputetë e ish-deputetë, ministra e ish-ministra, që kanë përdorur këto platforma, ide që u mbështet nga socialistët.

Por nga ana tjetër shumica rrëzoi nismën e demokratëve për vetëdeklarim të deputetëve mbi komunikime, që SPAK-u tashmë i ka dhe po i shfrytëzon në hetime, ndërsa vendosën që kjo çështje dhe disa të tjera që lidhen me ndryshime në rregulloren e Kuvendit të diskutohen nga një grup pune.

“Ne duhet ta shqyrtojmë këtë në një grup pune, sepse nga pikëpamja proceduriale janë disa gjëra që duhen parë, pavarësisht nga përmbajtja, janë disa element që dihen parë, dhe që janë thelbësore”, tha deputeti i Partisë Socialiste, Bledar Çuçi.

Platformat e koduara SKY/ECC dhe Encrochat ishin mjete kryesore të komunikimit midis anëtarëve të grupeve kriminale në Europë e më gjerë, e mes tyre edhe shumë të kërkuar nga drejtësia shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Jozyrtarisht vlerësohet se përdorues të tyre janë mijëra shqiptarë me banim në shtete të ndryshme, madje edhe se gjuha shqipe është ndër më të përdorurat në këto aplikacione.

Pasi këto sisteme të koduar u zbërthyen, të dhënat e nxjerra po shfrytëzohen nga SPAK-u për hetime ndaj grupeve kriminale, që për shumë vite kanë tronditur jetën e vendit me krime të ndryshme ndaj qytetarëve dhe ndaj njëri tjetrit.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka goditur së paku nëntë grupe të fuqishme kriminale, ka arrestuar shumë persona të dyshuar për veprimtari kriminale, si dhe ka ndriçuar ngjarje të rënda kriminale përgjatë shumë viteve nga vrasjet, plagosjet e rrëmbimet e deri tek korrupsioni, pastrimi i parave, kultivimi i bimëve narkotike dhe trafikimi i drogave.

Krahas arrestimit të shumë pjesëtarëve nga këto banda, SPAK-u ka ngritur akuza edhe ndaj disa ish politikanëve, gjyqtarë e prokurorë, si dhe oficerë me detyra të rëndësishme në policinë e shtetit, mbështetur në hetime mbi të dhënat e SKY/ECC.

Këto të dhëna nga mijëra komunikimeve dhe biseda përmes aplikacioneve të koduara SKY/ECC dhe Encrochat po shtojnë goditjet e SPAK-ut ndaj krimit të organizuar si dhe lidhjeve të tij me qarqet e politikës, administratës dhe të biznesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat