Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot në ambientet e selisë blu, një takim me Departamentin e Sigurisë pranë kësaj partie.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se vitet 2014-2024 ishin dhjetëvjeçari më i zi për Policinë e Shtetit. Sipas kreut të PD, brenda 16 muajve nga qeverisja, Partia Demokratike do të godasë të gjitha organizatat kriminale shqiptare dhe rajonale.
“E vërteta është se Shqipëria ka disa emergjenca sot, por një nga emergjencat e mëdha të saj dhe në mënyrë të pamohueshme pa zgjidhjen e së cilës, të tjerat nuk mund të zgjidhen, është gjendja e Policisë së Shtetit. Ky institucion është i përbërë nga individë të përfshirë në kultivimin, trafikun e drogave, shpërndarjen e drogave, tregtimin e tyre, ndihmën ndaj trafikantëve dhe nëse ne nuk pastrojmë Policinë nga këta individë, kriminelë, ne nuk do të kemi kurrë institucionin që ne duam. Ndaj dhe jam këtu për të garantuar ju dhe mbarë shqiptarët, se të gjithë ata individë të përfshirë në veprimtari të tilla, do të largohen nga Policia dhe do të përballen me ligjin për veprimtarinë e tyre kriminale”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha tha se në programin e forcës politike që ai drejton parashikohet tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Kjo luftë synon goditjen dhe çmontimin e të gjitha grupeve dhe organizatave kriminale, vendase, rajonale dhe kudo që ndodhen në një afat kohor 16-mujor. Ne u shpallim luftë atyre dhe i garantoj se nuk do të ketë paqe me ta, deri në vendosjen e tyre para ligjit. Le të shkojnë ku të duan, në Dubai apo në Zelandën e Re, Australi apo Afrikë të Jugut. Do të kapen dhe do të vendosen para ligjit”, theksoi Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike, u shpreh gjithashtu në këtë takim se pagat e punonjësve të Policisë do të rriten me 20%, ndërsa do të rriten edhe dietat e udhëtimit dhe kompensimi ushqimor.
“Ndryshimi i trajtimit të efektivëve dhe punonjësve të Policisë do të jetë një objektiv madhor i qeverisë së PD-së. Në këtë kontekst, ju garantoj se diferenca e rrogave mes drejtuesve dhe inspektorëve do të ngushtohet qartësisht, sikundër pagat vitin e parë do të rriten me 20%.
Pagat e punonjësve të Policisë do të rriten me 20%. Dietat e udhëtimit, standardi i tyre do të ndryshojë nga 55 në 80 euro, sepse të tilla janë çmimet sot. Kompensimi ushqimor do të rritet në masën 35%, apo nga 450 në 600 lekë në ditë”, tha ai.