“Strategji e Rilindjes”- Heqja e Drejtorisë së Kadastrës nga Bashkia Kavajë, reagon Ilir Meta

Shqipëria

“Strategji e Rilindjes”- Heqja e Drejtorisë së Kadastrës nga Bashkia Kavajë, reagon Ilir Meta

Më: 18 janar 2025 Në ora: 13:29
Për kreun e PL-së Ilir Meta

Për kreun e PL-së Ilir Meta, heqja e Drejtorisë së Kadastrës nga Bashkia e Kavajës është jo vetëm dënim për qytetarët, por një rrezik serioz dhe kërcënim i madh për pronat e tyre.

Nga qelia e burgut, Meta ka reaguar duke thënë se kjo është një strategji e “Rilindjes” për të larguar nga qytetarët shërbimet bazë.

Partia e Lirisë, -shkruan Meta -që në programin e saj ka kryeprioritet madhor ndalimin e shpopullimit, angazhohet që pas 11 Majit të rikthejë shërbimet jetike pranë qytetarëve.

“Heqja e Drejtorisë së Kadastrës nga Bashkia shumë e rëndësishme e Kavajës është jo vetëm dënim për mosnënshtrimin e qytetarëve të saj në zgjedhjet e fundit vendore por një rrezik serioz dhe kërcënim i madh për pronat e tyre të çmuara dhe të lakmuara.

Largimi nga qytetarët i shumë shërbimeve bazë është vijim i strategjisë së “Rilindjes” për të centralizuar bashkë me to edhe  korrupsionin.

Heqja e drejtorive të rëndësishme të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ujësjellësve, sistemit elektro-energjitik, prokurorive e gjykatave është dështim i Reformës së Decentralizimit dhe sukses i Reformës së Patronazhimit, në dëm të qytetarëve dhe në funksion edhe të axhendës antikombëtare të shpopullimit të Shqipërisë.

Partia e Lirisë, që në programin e saj ka kryeprioritet madhor ndalimin e shpopullimit, angazhohet që pas 11 Majit të rikthejë shërbimet jetike pranë qytetarëve“, shkruan Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat