Në studion e lajmeve në "Ora News", nëpërmjet një lidhje të drejpërdrejtë në "Skype", ishte juristi Franc Nuri, për të folur në lidhje për votën e diasporës.
"Nga data 11 janar e mbrapa të gjitha ato aktivitete që bien ndesh, duhet të ndalohen e të mbahet përgjegjësi. Çfarë ka ndodhur? Me hapjen e fushatës në diasporë përsa i përket regjistrimit të votuesve, sepse data 11 janar përkon gjithashtu me hapjen e regjistrimit online në platformën e KQZ.
Ndodh që na kanë ardhur informacione, ku dhe ju si media i keni pasqyruar herë pas here që eksponentë të lartë të qeverisë, të PS, por që mbajnë njëkohësisht edhe funksione publike, politike, janë në diasporë dhe përfaqësojnë jo vetëm statusin politik, por edhe dikasterin e tyre përkatës. Pra, kemi të bëjmë dhe me ministra, konkretisht, që ju shpërndahen ftesa nëpërmjet aplikacioneve, e-maileve me rradhë dhe përdorin emrin e ministrit të shtetit.
I gjithë problemi vjen nga fakti që ne e kemi ngritur prej kohësh domosdoshmërinë e krijimit të një qeverie teknike 3 apo 4 muaj para zgjedhjeve. Kjo do ta kishte shmangur këtë lloj problemi, ku ministrat, drejtorat dhe administrata e lartë, nuk mundet që para zgjedhjeve të përdorin funksionin publik, asetet publike, burimet publike që të bëj fushatë për partinë në pushtet", u shpreh Nuri.