Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalës së tij me mbështetësit në Fier, është ndalur te minimumi jetik dhe pensionet. Ai ka deklaruar se PD, do të vendosë 200 euro minimumin jetik dhe sipas tij kjo do të ndryshojë jetën e 57 përqind të pensionistëve në Shqipëri që nuk marrin pension të plotë.
Berisha u ndal edhe tek Porti i Durrësit, teksa u shpreh se 1.3 miliardë euro që janë planifikuar nga shuma për ndërtimin e Portit do të merren nga PD dhe do u shpërndahen qytetarëve rroga dhe pensione.
Pjesë nga fjalimi i Berishës:
Prandaj dhe ju duhet të uleni me çdo banor të këtij rrethi, të uleni.
Kemi premtuar 200 euro minimum jetik dhe me këto 200 euro ndryshojmë jetën e 57 përqind të pensionistëve në Shqipëri që nuk marrin pension të plotë. Ndryshojmë jetën e të gjithë pensionistëve në fshat. Ndryshojmë jetën e çdo qytetarit të papunë. Ndryshojmë jetën e çdo qytetari në ndihmë ekonomike.
Pse kjo?
Po një qeveri që zgjidhet nga qytetarët e vet, detyrë parësore ka të mbrojë interesat e tyre.
Vetëm një kolonialist që urren kombin që ka pushtuar, mund të lerë 16 milionë euro për 780 mijë pensionistë.
Do i thonë se ku i gjen ky lekët? Secilit do u jepni dy sqarime. Kur ky zotëria ishte kryeministri, buxheti nuk ishte 8 miliardë, ishte më së shumti 4 miliardë. Por buxheti ndahej, fondi për rrugët dhe fondi për qytetarët. A u dyfishuan rrogat? Të dalë një arsimtar, një infermier, një mjek që të thotë nuk u dyfishuan rrogat.
Por sigurisht nëse vepron siç vepron ky që lë një të dhjetën për rrogat dhe një të 512-tën për pensionet, natyrisht njerëzit do flasin me vete, natyrisht njerëzit do vuajnë për kafshatën.
Atëherë pra, shtroni pyetjen, si ka mundësi me një buxhet sa gjysma e këtij, u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë nga Hani i Hotit në Koshovicë të Gjirokastrës. Si ka mundësi që u dyfishuan rrogat, u dyfishuan pensionet? Sigurisht se paratë ndaheshin.
Çfarë ndodh sot? Ku shkojnë paratë e tjera? Paratë e tjera shkojnë në xhepat e qeveritarëve.
Sepse miqtë e mi, jeni dëshmitarë, këtë rrugën që lidh Lushnjen me Fierin, e kemi ndërtuar me 1 milion euro kilometrin.
Rrugën nga Shkëmbi i Kavajës gjer në Lushnje, përveç segmentit që kemi gjetur, e kemi ndërtuar me 1.2 milion euro kilometrin.
Bajpasi i Fierit ishte në projekt me 2.3 milion euro kilometri, që është 27 metra i gjerë, me gjithë ato vepra arti.
U fut Edi Rama me Vali Bizhgën dhe e transformoi çmimin.
Pra, ku do i gjejmë paratë? Paratë janë sepse këta ndërtojnë rrugën me 10-fishin, me 15-fishin e çmimit. A janë rritur çmimet e ndërtimit gjatë këtyre viteve? Po. Sa janë rritur? Çmimet janë rritur gjithsej 35 përqind.
Pra nëse ka kushtuar 1 milion euro, sot duhet të kushtojë 1.3 milionë euro, jo të kushtojë 15 milionë euro. Këta vjedhin 90 përqind të atyre që prokurojnë.
Ku do i gjejmë paratë? 1.3 miliardë euro do i marrim nga Porti i Durrësit. Po mbyll portin mijëravjeçar për të ndërtuar në Porto Romano me 1.3 miliardë euro portin e ri. Jo, nuk do ndërtohet. Ato 1.3 miliardë do u shpërndahen qytetarëve rroga dhe pensione.
Dhe u garantoj një gjë ju, që ky është vetëm fillimi.
Ky është vetëm fillimi dhe është me rezerva të forta se mund të themi edhe më shumë.
Ky bazament është i shkëlqyer që ne të ecim dhe të dalim sërish në krye