Vota e emigrantëve duket se do të jetë tema kryesore deri në zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 11 maj.
E tashmë që procesi i regjistrimit online të diasporës ka nisur, janë shfaqur dhe problematikat e para, të cilat po denoncohet nga opozita.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ngriti shqetësimin që po hasin shqiptarët që duan të votojnë, për shkak se një numri të madh iu kanë skaduar kartat e identitetit.
Teksa kërkoi qeverinë të reagojë për zgjidhjen e situatës, Bylykbashi u shpreh se mazhoranca mund të tentojë të regjistrojë vetëm personat që ka në patronazhimin e saj.
“Ndërkohë që ligji është i ashpër dhe thotë kush ka dokument të vlefshëm mund të regjistrohet. Një pjesë e madhe e kanë të skaduar dokumentin. Ne për fat na thotë ODIHR që 600 mijë persona i kanë dokumentet e skaduara.
Kjo është detyra e qeverisë. Në 2021 dhe 2023 në një situatë të ngjashme nxori një vendim për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumentit të skaduar vetëm për të votuar. Në Himarë lanë 6000 veta pa votuar dhe e grabitën bashkinë.
Duhet qeveria të miratonte në para 11 janarit një akt për të zgjidhur problemin. Kushtetuta thotë që shtetasit shqiptarë kanë të drejtën e votës.
PS do të lerë jashtë ata që nuk kanë dokumente dhe të rinovojë vetëm ato që ka në patronazhim. Ministria ka nxjerrë konsullatat e lëvizshme, diçka e jashtëligjshme. Ja çojnë vetëm atyre që duan”, tha Bylykbashi në Off the Record.