Kryetari i PD-së, Sali Berisha ishte sot i pranishëm në takimin për 34 vjetorin e PD në Gjirokastër ku u shpreh se Rama ka marrë trafikantët e të gjithë rajonit dhe i ka vërsulur në Jug, nga Vlora gjer në Ksamil.
Berisha: Mirëdita dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta ju demokrateve dhe demokratëve të Gjirokatrës dhe këtij qarku.
Përshëndetje të përzemërta të qytetarëve të këtij qarku, të Gjirokatrës dhe kudo që janë sot, nderimin më të madh për ata të rinj, burra, gra që 34 vite më parë me një guxim të madh, firmosën dhe nën terror të vërtetë, firmosën në Gjirokastrës themelimin e PD.
Një nderim të veçantë për të gjithë ata të cilët e drejtuan këtë degë në 34 vite dhe bënë gjithçka që PD, të qëndrojë në këmbë e fortë dhe e fuqishme.
Një mirënjohje për të pranishmit, drejtuesit kryesor të degës sot, deputetin, drejtuesit e tjerë, drejtues të degëve, të cilët në një periudhë kritike për PD, shumë kritike, mbetën besnik të atyre vlerave dhe idealeve mbi të cilat u themelua kjo parti.
Të dashur miq!
Themelimi i PD-së 34 vite më parë ishte triumf i idealeve më fisnike të njeriut, i lirive dhe të drejtave të tij, i iniciativës së lirë, i interesit kombëtar dhe patriotizmit, i prirjes apo vokacionit perëndimor të kombit tonë.
Krijohej pra një parti e cila kishte përballë një parti terroriste, një parti e cila ishte themeluar nga Beogradi në Tiranë, ishte udhëhequr nga Beogradi në Tiranë, një parti e cila ditën e çlirimit nga pushtuesit e huaj, e zëvendësoi me ditë pushtimi nga pushtuesit e brendshëm.
Një parti e cila ndaloi me kushtetutë liritë dhe të drejtat njerëzore. Shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, në një luftë primitive ndaj besimeve fetare dhe besimtarëve. E hiperkoletivizoi atë.
Enver Hoxha në historinë e komunizmit botëror mund të ketë ekuivalent vetëm Pol Potin. Natyrisht diktatori i Kamboxhias pat numër më të madh viktimash se sa Shqipëria.
Por të mos harrojmë se në vitin 1991 në Samitin e Bashkimit Europian Demokrat në Paris, ai do të etiketohej Hitleri i shqiptarit pas luftës.
Në 34 vite, PD e themeluar pra mbi vlerat dhe idealet e lirisë, bëri gjithçka për garantimin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarit shqiptar.
Transformoi Shqipërinë, hapi dyert e integrimit të saj në Këshillin e Europës, NATO, në Bashkimin Europian.
Por miq edhe një arritje tjetër e cila është ndofta ndër më themeloret në tërë historinë tonë, që shpesh harrohet dhe nuk është e shkrojtur, është fakti se në vitin 2008, ne nga njerëzit më të keqpaguar historikisht në këtë rajon, u bëmë qytetarët më të mirë të paguar se të gjitha kombet e tjera të rajonit.
Kaluam nga grupi i kombeve me të ardhurave të ulëta, në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta dhe kjo përbën një ‘quantum lip’ kjo përbën një arritje historike për ne.
Në këtë rrugë zhvillimi ne ja dolëm që Shqipërinë e cila braktisej, boshatisej, ta kthejmë në Shqipërinë në të cilën popullata nga viti 2007 gjer në vitin 2014 rritje nga viti në vit.
Kjo ishte dëshmi e një shprese të mbjellë kudo në këtë vend.
Mbi 180 mijë familje emigrantësh dhe emigrantë u kthye në Shqipëri. Ju jeni dëshmitarë, nuk kishte shkolla të mbyllura, ishin plot me nxënës dhe ne rindërtuam dhe ndërtuam 1300 shkolla dhe objekte arsimore.
Universitetet këtu në Gjirokastër, por edhe aty ku i hapëm në Sarandë, Peshkopi, Kukës, Berat, ishin plot me të rinj.
Sigurisht shqiptarët nuk kishin rrogat që meritonin, por rrogat e tyre rriteshin nga viti në vit. Dhe së bashku me rrogat rritjes dhe shpresa për një jetë më të mirë, se jeta përmirësohej.
Të dashur miq!
Ajo që ndodhi në këto 12 vite nuk ka të krahasuar në raport me qenien tonë kombëtare, me qenien tonë qytetare, as me pushtimet më të egra në histori gjer nga koha e Dushanit, gjer sot.
Në 10 vite, 2014-2024 vetëm në hapësirën e BE-së janë larguar nga Shqipëria 1 milionë e 99 mijë qytetarë. Nëse shtojmë këtu ata që janë larguar për në SHBA, Britani, Australi, Kanada dhe mbarë botën, ju garantoj se janë mbi 45 përqind e shqiptarëve. Dhe në këta 45% e shqiptarëve të dashur miq, 70% janë të rinj.
Kurrë ndonjëherë një komb edhe në luftërat më të egra, civile apo pushtuese, nuk kanë braktisur vendin, siç kanë braktisur shqiptarët gjatë këtij pushtimi të narkoshtetit.
Në këtë zbrazje katastrofale, jugu i vendit është zbrazur më shumë se çdo territor tjetër i Shqipërisë.
Këtë që ka pësuar jugu, treva të bekuara me të gjitha pasuritë, me njerëz të mençur dhe punëtorë, me një kulturë dhe traditë të mrekullueshme pune dhe prodhimi, nuk e ka pësuar ndonjëherë ndonjë rajon në rajon, Europë, apo në botë.
Mjafton të shkosh sot në Labovë, Nepravishtë, Zagori dhe të shohim se çfarë ka mbetur. Ndërkohë që aty sheh fshatra të mrekullueshëm, sheh lugina mahnitëse, sheh pasuri natyrore të pafundme, apo Lunxhëria.
Jugu u përqendrua në disa qytete në bregdet, ku gjysmën e tyre i kanë pushtuar trafikantët dhe mafiozët e Edi Ramës, që fillimisht thoshte na ka dalë një Gjon. Nuk dinte injoranti se ishte Gjon Boçari me pronat e tij, një nga shqiptarët më të shquar të Sulit dhe Çamërisë dhe ishin pronat e tij, dhe ai thoshte na ka dalë një Gjon, na ka ardhë nga mali dhe nuk kishte parë det kurrë dhe ka pushtuar 50 mijë hektarë tokë. Ato ishin pronat e Gjon Boçarit.
Tani ai ka marrë trafikantët e të gjithë rajonit dhe i ka vërsulur në Jug. Absolutisht nga Vlora gjer në Ksamil.
Por nëse shohim çfarë i bëri Gjirokastrës. Qendër që kur është themeluar, qytet i bukur, qytet dinjitoz, qytet me kulturë, që rezaton në të gjithë qenien e tij.
E zbrazi, ja mori drejtoritë dhe ja degdisi në të 4 anët në mënyrë që në vend se, ti sillte, në vend që ti ngrinte nga lugu këtu poshtë në Qafë të Pazarit, të meremetonte ndërtesat ja hoqi fare Gjirokastrës, ja zhduku.
Universitetin pothuajse po e shuan. Pedagogët që punojnë në Janinë apo diku tjetër, dhe marrin rrogën në universitet dhe nuk japin një ditë mësim. Të tjerë që nuk duken fare. Ky është sot tablloja reale e Gjirokastrës. Por si Gjirokastra në tërësi është Shqipëria.
U ndala në këtë moment për të theksuar se kjo kohë, e vërteta është një thirrje, një thirrje e kësaj toke, kombi, shoqërie për çdo shqiptar që ta shpëtojmë këtë vend.
Në rast se, vazhdohet me këto politika, pas 4 vitesh mbi 1 milionë tjetër shqiptarësh, do të shkojnë tek ata që janë sot.
Kush do të mbetet këtu? Prandaj është jetike vendimtare të mobilizohemi, angazhohemi.
Ne si parti dëshmuam një forcë dhe vitalitet të jashtëzakonshëm. Këto 3 vite kaluam një kalvarë të vërtetë, si asnjë forcë tjetër politike.
U përballëm me narkoregjimin e egër të Edi Ramës, që bëri çdo gjë për të vendosur nën kontroll forcën tonë politike, apo për ta shuar atë.
U përballëm me agresionin e mafias më të rrezikshme të planetit që është mafia e Xhorxh Sorosit.
Nuk e dinim se si do të dilte rezultati i zgjedhjeve në SHBA, por ne qëndruar dhe vetëm qëndruam për ato vlera që ne besonim.
Ne besonim tek dinjiteti njerëzor, besonim se duhej të ishim opozitë e vërtetë dhe jo falso, besonim se duhej të mbronim interesin e qytetarëve, interesin kombëtar pavarësisht nga çmimi dhe ne qëndruam.
Ne besonim se vendi duhej të kishte një opozitë të vërtetë, se vendi pa opozitë është natë e zezë dhe kërkush më shumë se ne, nuk e kishte provuar këtë gjë.
Bënë gjithçka të na përçajnë, të na mbajnë veçmas. Na morën flamurin, na hoqën emrin nga listat, por ne ja ku jemi sot. Djem dhe vajza, gra dhe burra që bëjnë të pamundurat të mundshme.
U përpoqën të na shuajnë, jemi më të bashkuar se kurrë. U përpoqën të na lënë pa flamur, flamurin e kemi fitimtar. U përpoqën të na izolojnë. Sot PD është e mbështetur nga të gjitha forcat politike të qendrës së djathtë në botë. Me tre rezoluta ndërkombëtare.
Askush nga ne nuk i mendonte këto. Por ne besonim se po mbronim të vërtetat.
Ne besonim një gjë, se ato që mbronim ne, ishin të vërteta dhe nuk gabuam.
Të dashur miq.
Erdhëm ne sot në këtë 34 vjetor, por nuk erdhëm thjeshtë si forcë e qendrës. Por e vërteta sot më shumë se kurrë ne jemi forcë politike e fitores.
Sot ne që realizuam gjatë këtyre 3 vite, ato që askush nuk i besonte se do ti realizonim ne kemi në dorën tonë, fitoren e 11 majit dhe ne do ta realizojmë atë.
Ne do ta realizojmë atë, por kjo kërkon së pari, të bashkohemi me çdo demokrat nga viti 1990 e gjer sot.
Miq!
Nuk janë idealet tona, ideologjitë perverse, idealet tona janë vlerat, janë dinjiteti, janë respekti i të vërtetës. Çdo demokrate e demokrat, që ka vendosur një tullë në këtë ndërtesë, ajo tullë do të respektohet atij, ajo djersë do ti nderohet.
Kur të dojë është i mirëpritur të kthehet tek investimi i tij.
Është toleranca ajo që e bëri PD-në fitimtare edhe në kushtet më të vështira. Edhe kur na drejtuan armët, edhe kur në Borsh e zvarritën kryetarin tonë pas kamionit, edhe kur në Përmet, falangat e Enver Hoxhës i detyronin të parakalonin, por ne qëndruam të palëkundur në besimin tonë, por nuk rendëm pas dhunës. Urtia është forcë, forcë më e madhe.
Kështu që ne mbi ketë tolerancë bashkohemi njëri me tjetrin dhe mbi këtë tolerancë, do të krijojmë frontin më të gjerë, më të fuqishëm, në mënyrë që 11 maji të jetë një fitore plebishitare e mbarë shqiptarëve ndaj këtij regjimi.