Policia e Vlorës dhe grupi hetimor kanë humbur gjurmët e atentatorëve që i morën jetën 30-vjeçarit nga Mirdita, Kristian Marku (Bardhi).
As pamjet filmike dhe as dëshmitë e personave që kanë parë sekuenca nga skena horror e momentit të pritës, nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor të hedhë dritë mbi ngjarjen e rëndë, ku dyshimet e para kanë rënë mbi faktin që ka qenë për hakmarrje. Por policia, e cila thotë se po punon intensivisht për të shkuar tek autorët, dyshon se bëhet fjalë për vrasës me pagesë, që mund të jenë të zonës.
Sipas të dhënave, janë hapur kamerat e sigurisë ku është shquar mjeti i autorëve, por nuk është kapur asnjë imazh i vrasësve, të cilët janë larguar më pas për të djegur edhe mjetin që u përdor në vrasje. Hetimi saktësoi se targat e mjetit të vrasësve i ishin vjedhur një makine të një punonjësi policie nga Vlora, ndërkohë që ende nuk dihet se çfarë veprimesh janë kryer me telefonin e viktimës, prej të cilit grupi hetimor pritet të mësojë detajet që mund të hedhin dritë mbi personin ose personat që e prisnin në Vlorë, Kristianin.
Dosjet e vrasjeve mes fiseve mirditore sërish nuk kanë dhënë asnjë të dhënë konkrete, ndërkohë që djemtë e familjes Reçi, pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë, pasi alibitë e ngritura prej tyre kanë rezultuar të vërteta, mbi vendqëndrimin e tyre në momentin e ekzekutimit të të riut, i cili rezultoi të ishte baba i një foshnje vetëm 3 muajsh!
HETIMET
Ka kaluar një javë nga ekzekutimi ndaj Kristian Markut, por policia ende nuk ka gjetur gjurmë nga autorët. Deri më tani, grupi hetimor ka arritur të sigurojë imazhet të makinës së autorit dhe asaj të viktimës vetëm nga kamerat e sigurisë në një karburant. Burime policore bëjnë me dije se në pamje dallohet momenti i kalimit të dy automjeteve. Autorët e kanë ndjekur viktimën dhe më pas e kanë qëlluar, duke iu afruar me sinjal ndezur dhe duke u përpjekur të parakalojnë paralel.
Në dëshmitë e mbledhura nga grupi hetimor, dëshmitarët kanë raportuar se fillimisht është dëgjuar një e shtënë dhe më pas, makina e autorëve me sinjal ndezur ka parakaluar makinën që drejtohej nga Kristian Marku dhe më pas e kanë qëlluar. Janë dëgjuar frenimet dhe fërkimet e gomave të automjeteve në autostradë dhe pasi autorët e kanë qëlluar të paktën 13 herë Markun, makina e tij është përplasur disa herë me trafikndarësen. Burime bëjnë me dije se policia ka dyshime se autorët mund të jenë nga Vlora ose të jenë ndihmuar nga persona që e njohin mirë territorin, për shkak të dinamikës së ngjarjes, nga vjedhja e targave të oficerit të policisë dhe përdorimi i tyre në atentat, deri te largimi i tyre. Sipas grupit hetimor, nëse zbardhet vjedhja e targës, hetimi do të jetë më i lehtë për të zbardhur ngjarjen. Megjithatë, grupi hetimor bën me dije se vrasja në ecje mund të kryhet vetëm nga qitës profesionistë. Policia e Vlorës vazhdon ende të marrë persona në pyetje, ndërkohë kamerat janë duke u shqyrtuar edhe në bizneset që ndodhen në Njësinë Administrative Novoselë, për të parë nëse mjeti i autorëve ka qarkulluar në zonë.
VRASJA
Kristian Bardhi, nipi i Martin Bardhit të vrarë pak kohë më parë, u ekzekutua në aksin Fier-Vlorë pasditen e 13 janarit të këtij viti, ndërsa autorët që dyshohet se kanë qenë tre, i zunë pritë në mbikalimin e Novoselës. Autorët dogjën mjetin tip “Golf” rreth 1 km larg vendit të ngjarjes dhe më pas dyshohet se janë larguar drejt Fierit. Mjeti i autorëve ka qenë me targa të vjedhura, ndërsa brenda tij nuk është gjetur arma e krimit. Ekzekutimi i 30-vjeçarit nga Rrësheni, Kristian Bardhi, dyshohet se ka lidhje me përplasjen e dy fiseve të Mirditës, Reçi e Bardhi. Policia shoqëroi edhe 4 anëtarë të fisit Reçi, mes tyre nipi i Kastriot Reçit, i vrarë me snajper në qendër të Rrëshenit në janar të vitit 2020, të cilët mohuan përfshirjen, ndërkohë që të gjitha dyshimet hetimore kanë çuar në hetimin e pistës së hakmarrjes.