Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, në një bashkëbisedim me gazetarët ka bërë me dije se do t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë për të ndryshuar strukturën e cila do të merret me vlerësimin dhe numërimin e votave të diasporës.
Më parë, Celibashi kishe deklaruar se numërimi i votave do të kryhej në ambientet e KQZ dhe nga stafi i KQZ, por se nuk ishte caktuar përbërja e ekipit.
Kryekomisionieri tha sot se në strukturë do të kërkohet përfshirja edhe e përfaqësuesve të partive politike, si faktor kyç për besueshmërinë.
“Do t’i propozojmë Kuvendit ndryshim në Kodin Zgjedhor për strukturën që do të merret me vlerësimin dhe numërimin e fletëve të votimit.
Duke qenë se është themelore që si proces që zhvillohet për herë të parë të kemi besimin e të gjitha palëve. Në procesin e numërimit të përfshihen edhe partitë politike veçmas KQZ”, tha ai.