Kuvendi zhvillon sot seancën hapëse të punimeve të sesionit të VIII të legjislaturës së X.
Seanca plenare nisi me nderimin e himnit kombëtar.
Më pas kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi deputetët se mesazhin e Presidentit Bajram Begaj me rastin e sesionit të ri parlamentar e kanë në dispozicion.
Spiropali mbajti më pas fjalën përshëndetëse, ku theksoi se, “ndryshimi nga Kuvendi i Shqipërisë i legjislacionit zgjedhor dhe krijimi i mundësisë që pjesëtarët e diasporës të votojnë për zgjedhjet në Kuvend nga vendet pritëse është ndër arritjet më të shënuara të legjislaturës që po mbyllim”.
“Shumë ishte folur, por pak ishte bërë për jetësimin e kësaj mundësie për procesin e zgjedhjeve parlamentare”, tha Spiropali.
Megjithatë, shtoi kryeparlamentarja, “ajo që nuk ishte arritur për disa legjislatura u realizua në këtë legjislaturë”.
Spiropali falënderoi të 4 grupet parlamentare për mbështetjen e plotë të këtyre ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor.
“Me realizmin e tyre iu përgjigjëm një nevoje të natyrshme të konsolidimit të demokracisë pjesëmarrëse si dhe i kthyes diasporës shqiptare, emigrantëve të hershëm e të rinj, një borxh që ishte i padrejtë të mos ua shlyenim politikisht, atdhetarisht dhe moralisht”.
“Ia arritëm të hapim udhë që kontributi ekonomik, social e human i diasporës në zhvillimin e Shqipërisë të plotësohet edhe me pjesëmarrje politike dhe elektorale”, tha ajo.