Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona në lidhje me veprën penale të shitjes së lëndëve narkotike.
Gazetari Igli Çelmeta raporton se bëhet fjalë për Simon Hitaj dhe shtetasin turk Berat Sayalioglu, ndërsa është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tyre.
Policia njofton se këta persona bashkëpunonin për sigurimin e lëndës narkotike, ndarjen e saj në doza dhe shitjen e tyre në qytetin e Tiranës.
Njoftimi:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Collaboration 1”.
Zbulohet një banesë e përshtatur për përgatitjen e dozave të kanabisit. Sekuestrohen 5 kg lëndë narkotike kanabis dhe 2 peshore elektronike.
Vihet në pranga një 23-vjeçar, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, bashkëpunëtorë për përgatitjen dhe shitjen e dozave të kanabisit.
Vihet në pranga dhe një shtetas turk, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration 1”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. H., 23 vjeç, banues në Tiranë dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. B. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta bashkëpunonin për sigurimin e lëndës narkotike, ndarjen e saj në doza dhe shitjen e tyre në qytetin e Tiranës.
Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira nga shtetasi Xh. B., shërbimet e Policisë kanë gjetur 5 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 2 pershore elektronike, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u arrestua shtetasi B. S., 24 vjeç, banues në Turqi, pasi u kap në flagrancë me një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.