Reforma/ Përshpejtohet barazimi i moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë!

Shqipëria

Reforma/ Përshpejtohet barazimi i moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë!

Më: 21 janar 2025 Në ora: 12:29
Foto ilustrim

Ky është një tjetër ndryshim që po bisedohet për t’u bërë pjesë e skemës së re të pensioneve, e cila në fakt duhej të ishte bërë publike tashmë, sipas premtimeve të qeverisë. Kjo është vetëm një nga risitë që pritet të sjellë reforma, e cila parashikon përshpejtimin e moshës kur do të barazohen të dyja gjinitë për daljet në pension, si dhe rritjen e përfitimeve për pensionet e ulëta.

Përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë nën asistencën e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar po diskutojnë prej gati një viti ndryshimet në skemën e sigurimeve shoqërore për të dalë me një reformë të re pensionesh. Risitë lidhen më konkretisht me vjetërsinë minimale për të përfituar pension pleqërie apo pension social, nivelin e kontributit të dhënë (qoftë si punëmarrës apo punëdhënës) si dhe më kryesorja ndryshimi i gjithë formulës së përfitimit.

Sipas zëvendësministres së Ekonomisë, Olta Manjani, e cila kryeson grupin e punës, rishikimi i skemës konsiston në zhvillimin e parimit të pamjaftueshmërisë, duke siguruar përfitime më të larta për pensione nga skema e detyrueshme si dhe për kategoritë më vulnerabël të shoqërisë, siç janë pensionet e invaliditetit apo ato familjare.

EKSPERTI

Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, ka zbuluar në “News 24” disa detaje që lidhen me ndryshimet ligjore që janë paralajmëruar në fushën e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve, ndërsa sqaroi se qëllimi i tyre është mbushja e hendekut mes skemës së sigurimeve shoqërore dhe shpenzimeve për pagimin e pensioneve. Eksperti e vuri theksin te fakti që për gratë synohet që çdo vit të shtyhet pensioni me katër muaj, jo me dy muaj sa ç’është aktualisht, gjë që prek interesin e qytetarëve.

“Ndryshimet për sigurimet shoqërore do të bëhen me mendimin që të përmirësohet në funksion të mbylljes së gropës mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Duhet pasur parasysh që ndryshimet e ligjit janë vetëm për këtë apo ka edhe interesa të tjera të qytetarëve. Për mendimin tim, ka një përkeqësim të interesave të qytetarëve. Bëhet fjalë për ndryshime në vjetërsinë e punës, shtimi i moshës, për gratë ishte parashikuar të shtoheshin 2 muaj në vit, tani do të shtohet me katër muaj. Duke mos paguar ka diferencë më të vogël mes të ardhurave dhe shpenzimeve”,  vuri në dukje Hoxha.

Aktualisht, shumica dërrmuese e pensioneve të reja që lidhen janë të pjesshme, pasi qytetarët nuk kanë plotësuar vitet e plota të përfitimit të pensionit, 38 vjet. Rritja e numrit të popullatës në moshë pensioni në raport me numrin e kontribuuesve në skemë kanë bërë që qeveria të rishikojë skemën e sigurimeve, duke hartuar një reformë ku pensioni të lidhet direkt me masën e kontributeve.

Skema e re që po ndërmerret së bashku me Bankën Botërore synon ngushtimin e diferencës mes pensionit minimal dhe atij maksimal. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se vitin e kaluar, 51% e pensionistëve përfituan pension të pjesshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat