Tiranë, përkujtohet 21 Janari, SPAK: Po kryhen hetime intensive

Shqipëria

Tiranë, përkujtohet 21 Janari, SPAK: Po kryhen hetime intensive

Më: 21 janar 2025 Në ora: 18:44
Protesta e opozitës më 21 Janar 2011

Në Tiranë, përfaqësues të Kuvendit dhe të qeverisë socialiste nderuan sot, në 14 vjetorin e vrasjes, gjatë demonstratës së 21 janarit para kryeministrisë, 4 protestuesit që humbën jetën nga armët e Gardës së Republikës. Kryeministri Edi Rama theksoi në një mesazh se SPAK-u duhet të japë sa më parë drejtësinë e munguar për ngjarjen e 21 janarit. Ndërkaq drejtues të Prokurorisë së Posaçme kanë bërë të ditur se për këtë çështje po bëhen hetime intensive thuajse të përditshme.

14 vjet më parë, më 21 janar të 2011, protestuesit Faik Myrtaj, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Ziver Veizi mbetën të vrarë nga armët e Gradës së Republikës gjatë një demonstrate të opozitës kundër korrupsionit të dyshuar të qeveritarëve të kohës.

Shkaku i protestës u bë edhe një video ku shfaqeshin dy ish anëtarë të qeverisë Berisha, një prej tyre Ilir Meta teksa dyshohet se i fliste për disa shifra dhe porosi me një bllok në dorë Dritan Priftit për ndarje parash dhe leje për ndërtim biznesesh.

Pas disa orë përpleshje me policinë, Garda nisi breshëritë e armëve automatike, ku brenda pak minutave u vranë 4 dhe u plagosën mbi 30 protestues.

Sot pas 14 vjetësh ngjarja ende nuk është zbardhur, edhe pse ndodhi në mes të shëtitores Dëshmorët e Kombit, poshtë dritareve të kryeministrisë. Kryetarja e Kuvendit dhe anëtarë të qeverisë vendosën lule në vendet, ku ranë të vrarët e asaj proteste, ndërsa kryeministri i PS-së në pushtet, Edi Rama, kërkoi drejtësi nga SPAK-u, përmes një mesazhi në rrjetet sociale nga jashtë vendit.

“Uroj dhe besoj se SPAK-u nuk do të jetë edhe për shumë kohë i zënë me gjithçka tjetër, përveçse me 21 janarin, i cili për më tepër është edhe një rast i qartë si drita e diellit dhe prandaj çdo vit që kalon, jo vetëm shton barrën e turpit mbi këdo, që duhet të japë drejtësinë e munguar, po njollos edhe vet Reformën në Drejtësi”, tha zoti Rama.

Ndërsa është kryer edhe një reformim i thellë i sistemit të drejtësisë për disa vite, Gjykata e Lartë vendosi në marsin e vitit të kaluar që çështjen e 21 janarit ta gjykojë SPAK-u.

Drejtues të Prokurorisë së Posaçme kanë bërë të ditur së fundi që ky vendim i Gjykatës së Lartë dhe gjithë aktet e kësaj çështje kanë mbërritur pranë SPAK-ut në muajin korrik. I njëjti burim tha se kjo çështje është në hetim paraprak, dhe se po bëhen hetime shumë intensive thuajse të përditshme, por dinamika e ngjarjes është e atillë, që sjell nevojën për veprime hetimore të shumta.

Si çdo vit, nuk munguan sot as komentet e ish kryeministrit Sali Berisha, aktualisht krytar i PD-së së opozitës. Ai tha sot nga selia e Partisë Demokratike, se gjatë 3 mandateve në pushtet socialistët po e keqpërdorin politikisht këtë ngjarje tragjike, për të ardhur në pushtet dhe mbajtur pushtetin, ndonëse kanë nën kontroll prokurorinë për ta zbardhur gjithçka.

“Pas vitit 2013, njëri pas tjetrit prokurorë nga Arta Marku, te Olsi Çela etj., njeri tjetër përveç Edi ramës nuk i ka penguar ata që të hetojnë në çdo aspekt”, tha zoti Berisha.

Mbrëmjen e 21 janarit të 14 vjetëve më parë ish kryeminsitri Berisha në atë kohë sulmoi haptas Presidentin e Republikës dhe Prokuroren e Përgjithshme, si dhe dyshohet që pengoi veprimet e prokurorëve, duke shmangur arrestimin e drejtuesve të Gardës së Republikës, pavarësisht se ndaj tyre ishin nënshkruar zyrtarisht urdhëra arresti.

Prej asaj dite familjarët e 4 viktimave kërkojnë drejtësi për të vrarët si dhe gjykimin me proces të rregullt gjyqësor të atyre zyrtarëve, që urdhëruan dhe zbatuan goditjen me armë zjarri gjatë një demonstrate politike, ku merrnin pjesë mijëra qytetarë nga gjithë qytetet e vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat