Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Open në News 24 dha detaje për dosjen Toyota Yaris. Lala tha se në këtë dosje janë përmendur edhe emra prokurorësh të SPAK, por edhe emra gjyqtarësh e zyrtarësh të lartë.
Ajo shton se janë nisur letër-porosi drejt Francës, me qëllim për të provuar nëse ata persona, të cilëve iu është përmendur emri janë përdorues të Sky Ecc ose nëse ka prova që janë të përfshirë në çështje.
Klodiana Lala: Lideri i PD Basha akuzoi Taulant Ballën për këtë çështje dhe më pas në Portin e Durrësit u sekuestruan miliona euro. Në përfundim, vetëm një person u dënua për kontrabandim të parave. Kjo është fabula thënë me fjalë të thjeshta. Kur dosja ka kaluar nga Krimet e e Rënda e më pas tek Prokuroria Tiranë e më pas në gjykatë, u morën masa për të mbyllur dosjen. Aty ka emra edhe të prokurorëve të SPAK që janë përmendur, janë përmendur OPGJ, gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës, zyrtarë të lartë në Prokurorinë e Tiranës, që po hetohen.
Është kërkuar në Francë, për të parë nëse këta individë të përmendur, kanë qenë përdorues të Sky Ecc ose nëse janë implikuar në këtë histori. Rezulton se një prokuror ka qenë i implikuar dhe një tjetër prokuror nuk është përfshirë. Ka dhe njerëz që kanë refuzuar të bëhen pjesë e pazareve dhe Erjona Daupaj thotë në një moment që ‘m’a hiqni në qafë prokuroren’, sepse ajo nuk i është bindur.
Në sistem ka njerëz të inkriminuar, por ka dhe njerëz të ndershëm. Sesa do të provohet fajësia e këtyre personave, pritet të shohim se çfarë do të sjellin letër-porositë nga Franca. Duhet ndarë thashethemi me provën, sepse thashethemi duhet bashkangjitur me prova. Nga hetimi, mund të dalin edhe emra politikanë.