Teksa kryepeshkopi i Shqipërise Anastas ndodhet në gjendje kritike nen kujdesin e mjekëve dhe lufton për jetën ne një spital në Athinë, Kisha Ortodokse kremton Shën Anastas Persianin, emrin e të cilit mban vetë fortlumturia e tij, imzot Anastas.
Në kishën e ungjillëzimit në Tiranë këtë mëngjes besimtarët u mblodhën së bashku në lutje në liturgjinë hyjnore, e cila u kryesua nga mitropoliti i Korçës hirësi Joani në bashkë-meshim me mitropolitet e Fierit, Beratit e Elbasanit dhe klerikët e tjerë të Kishës sonë.
Në këtë kohë sprovë të vështirë të shëndetit që po kalon Kryepeshkopi Anastas ortodoksët e Shqipërisë, bijtë e tij shpirtërorë, i luten perëndisë që t’i japë atij forcë, shëndet dhe shërim.
Në fjalët e tyre përfaqësues të Kishës Ortodokse nuk reshtën së shprehur mirënjohje të thellë për gjithë përkushtimin dhe dashurinë e Kryepeshkopit Anastas për Kishën tonë përgjatë këtyre 33 viteve shërbimi pa reshtur, për lavdi të perëndisë.