Nisën ta ndiqnin që nga rrethrrotullimi i Levanit/ Detaje të reja nga vrasja e Kristian Markut, autorët mund të jenë larguar jashtë vendit

Shqipëria

Nisën ta ndiqnin që nga rrethrrotullimi i Levanit/ Detaje të reja nga vrasja e Kristian Markut, autorët mund të jenë larguar jashtë vendit

Më: 22 janar 2025 Në ora: 12:07
Kristian Marku

Detaje nga hetimet për vrasjen e 30-vjeçarit Kristian Markut.

Policia e Shtetit nga hetimet e deritanishme ka dyshime se autorët mund të jenë larguar jashtë vendit. Për këtë arsye Policia ka kërkuar informacion nga Interpol.

Mësohet se hetuesit, kanë kërkuar informacion nga Interpol, për persona të dyshuar si të përfshirë në këtë vrasje. Një prej vendeve me të cilat po punohet për të identifikuar autorët apo persona që mund të jenë të përfshirë është edhe Kosova. Policia shqiptare po punon intensivisht me autoritetet kosovare, por informacion nëpërmjet Interpol i është kërkuar edhe shteteve të tjera.

Në këtë fazë të hetimeve grupi hetimor dyshon se autorët kanë qenë me dy automjete, që kanë nisur ndjekjen e Kristian Markut, një që ka shërbyer për ekzekutimin e 30-vjecarit, dhe me pas është djegur, ndërsa një automjet i dytë dyshohet nga hetuesit se ka qenë duke lëvizur nga Fieri për në Vlorë dhe ka marrë ekzekutorët pasi kanë djegur makinën. Policia dyshon se ndjekja e makinës së Kristian Markut ka nisur që në afërsi të rrethrrotullimit të Levanit, për ta ekzekutuar më pas pranë nënkalimit të Novoselës.

Viktima natën e ngjarjes është nisur nga Tirana, me një makinë që nuk ishte e tij por qe kishte marrë me qira prej disa ditësh. Ky fakt ngre dyshimet tek grupi hetimor se edhe në Tiranë i riu është mbajtur nën vëzhgim për lëvizjet e tij, ku autorët i kanë identifikuar edhe automjetin që 30-vjeçari përdori natën e ngjarjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat