TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar hartën e re të shpërndarjes së mandateve, në 12 qarqet e vendit, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit.
Qarku, i cili ka numrin më të vogël të mandateve është Kukësi, me tre të tillë, kurse Tirana mban pjesën e luanit me 37 mandate deputetësh.
Sipas formulës së re, në zgjedhjet e 11 majit, 46 deputetët e parë të çdo partie politike do të jenë në listën e mbyllur.
Vetëm partitë, të cilat arrijnë të marrin mandate që tejkalon listën e mbyllur, mund të dërgojnë në parlament deputetë, që janë përzgjedhje e qytetarëve.
Një tregues tjetër, i cili vihet re është se partitë politike duhet të zgjedhin 186 kandidatë, pasi edhe pse garohet për 140 ulëse në Kuvend, ndarja e listës së kandidatëve në dy pjesë( e mbyllur dhe e hapur) i detyron subjektet politike të dorëzojnë më shumë emra në KQZ.