Deputetja e Partisë Demokratike, Ilda Dhori, e ftuar në studion e News24, ka adresuar sfidat dhe problematikat që lidhen me votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të këtij viti.
Dhori theksoi se një ndër pengesat kryesore është mungesa e dokumenteve identifikues për një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. “Ka shumë qytetarë që nuk kanë një dokument identifikimi, pasi janë pajisur me dokumentet e vendeve ku jetojnë. Fakti që kjo kategori ka marrëdhënie të vazhdueshme me Shqipërinë dhe dëshiron të jetë pjesë e zgjedhjeve, sjell një problematikë serioze,” tha ajo.
Ajo nënvizoi se Partia Demokratike është e angazhuar për të siguruar pjesëmarrjen e diasporës në procesin zgjedhor. “PD është zotuar për të bërë gjithë lëshimet e saj për të garantuar këtë pjesëmarrje. Do të pranojmë gjithçka që mund ta mësojmë edhe rrugës, për të krijuar një model më të mirë në të ardhmen,” u shpreh Dhori.