Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ja kushtet që vendos PD

Shqipëria

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ja kushtet që vendos PD

Më: 23 janar 2025 Në ora: 17:55
Oerd Bylykbashi

Ende pa nisur mirë diskutimi në Parlament për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kanë të bëjnë me disa ndërhyrje teknike në kuadër të lehtësimit të procesit të votimit për diasporën, palët politike shpalosin qasje të kundërta dhe kushte ndaj njëra tjetrës.

Në një komunikim me gazetarët këtë të enjte, dy drejtuesit e PD, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso shpalosën amendamentet e PD për ndryshimet në Kod, duke kërkuar që të mundësohet e drejta e votës edhe për të ata emigrantë shqiptarë, të cilëve u kanë skaduar dokumentet e identifikimit, apo që as nuk kanë një dokument biometrik.

“Nëse ka dhjetëra probleme që lidhen me votimin e diasporës, kryeproblemi i tyre është vlefshmëria e dokumenteve të shtetasve. Për ata që kanë dhe i kanë skaduar, për ata që nuk janë pajisur kurrë me një dokument shqiptar dhe për ata që për një arsye apo një tjetër, nuk disponojnë një dokument shqiptar por kanë një dokument të një shteti të huaj”,-tha Ivi Kaso, sekretar për çështjet zgjedhore në PD

Nënkryetari i PD, ky është kushti i PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor përballë draftit të PS që kërkon që vlefshmëria për kartat dhe pasaportat e skaduara të jetë vetëm për emigrantët.

“Për shkak se kjo është një çështje thelbësore kushtetuese parimore, politike, jo interes elektoral, sa na kërkon ne ky është një kusht që qëndron mbi tavolinën e Parlamentit”,-tha Oerd Bylykbashi.

Sipas Partisë Demokratike këto amendamente, garantojnë që e drejta e votës t’u jepet të gjithë shqiptarëve jashtë vendit që duan të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat