Serbia ndalon dhe largon dy shqiptarë nga territori i saj, ministri Hasani takim me ambasadorin serb në Tiranë

Shqipëria

Serbia ndalon dhe largon dy shqiptarë nga territori i saj, ministri Hasani takim me ambasadorin serb në Tiranë

Më: 23 janar 2025 Në ora: 19:16
Foto ilustrim

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar sot, më 23 janar 2025, lidhur me ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kishin marrë pjesë në një seminar në Beograd.

Ambasadori i Serbisë në Tiranë, Slobodan Vukçević, u thirr në MEPJ për të adresuar këtë çështje. Gjatë takimit, ministria shprehu keqardhjen dhe shqetësimin serioz për këtë veprim, duke e cilësuar atë si të papërputhshëm me përpjekjet për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore dhe si një pengesë për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë.

MEPJ ka kërkuar sqarime nga autoritetet serbe dhe ka theksuar nevojën për të rishikuar dhe apeluar vendimin. Gjithashtu, u kërkua që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, për të shmangur ndikimet negative në raportet dypalëshe.

Rasti po ndiqet me vëmendje nga Ambasada Shqiptare në Beograd, ndërsa Shqipëria pret një përgjigje zyrtare nga autoritetet serbe në lidhje me këtë incident.

Reagimi i plotë:

Sot, më 23 janar 2025, u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ambasadori i Republikës së Serbisë, z. Slobodan Vukçević.

Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd.

Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë.

MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat