Presidenti i vendit Bajram Begaj në pritjen e përvitshme të trupit diplomatik në Shqipëri, përcolli mesazhe për avancimin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, bashkëpunimin në rajon dhe me partnerët ndërkombëtarë, si dhe forcimin e strukturës Euro-Atlantike, duke thënë se vendi ynë mbetet i përkushtuar në përmbushjen e objektivave kombëtare përmes strategjive të qarta, drejtësisë, dialogut dhe gjithëpërfshirjes.
Begaj theksoi se Shqipëria ka treguar dhe vazhdon të tregojë mbështetjen më të lartë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, BE-së dhe NATO-s.
Fjala e presidentit Bajram Begaj:
Është kënaqësi të ritakohemi këtë fillim viti. Çdo takim yni i shërben forcimit të marrëdhënieve midis vendeve tona dhe angazhimit për thellimin e tyre.
Vitin që shkoi kam patur rastin të isha i ftuar në disa nga vendet tuaja, si dhe kam mikpritur në Tiranë kryetarë shtetesh, me të cilët kam biseduar dhe diskutuar mbi sfidat e përbashkëta aktuale dhe për të ardhmen. Shqipëria edhe gjatë këtij viti konsolidoi edhe më tej rolin e partnerit të besueshëm në politikën e jashtme, me një rol proaktiv në skenën rajonale, teksa përkatësia evropiane gërshetohet organikisht me partneritetet strategjike.
Ne e nisëm tranzicionin në vitin 1990 me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe vitin që lamë pas hodhëm hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian. Hapja e negociatave është dëshmi jo vetëm e vlerësimit për reformat që Shqipëria ka ndërmarrë, por edhe tregues i vendosmërisë dhe përkushtimit tonë për të avancuar në këtë proces transformues drejt përkatësisë sonë evropiane. Udhëtimi ynë drejt Evropës së bashkuar nuk është vetëm ambicie politike, por lidhet pazgjidhshmërisht me vlera të shenjta për ne, siç janë: demokracia, të drejtat e njeriut dhe kohezioni social.
Bashkimi Evropian mbetet për ne një projekt madhor i paqes, mirëqenies dhe zhvillimit, ndaj ne jemi të angazhuar për kryerjen e reformave të thella, të cilat mbeten prioritet kryesor për të ardhmen e vendit. Integrimi evropian është e vetmja alternativë e Shqipërisë, është zgjedhje e natyrshme e një populli të lashtë, me vlera, kulturë e traditë evropiane dhe përkatësi Euroatlantike. Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, ka mbështetjen më të lartë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ky fakt nuk është vetëm tregues i kulturës sonë historike, por edhe tregues besimi, zgjedhjeje dhe ndërgjegjësimi për interesat tona madhore shtetërore e kombëtare. Shqiptarët janë të bindur se demokracia, integrimi dhe shteti i së drejtës nuk dhurohen, por janë procese thelbësore që kërkojnë bashkëpjesëmarrje, bashkëveprim dhe strategji të qarta për rezultate të prekshme.
Rajoni mbetet një përparësi dhe nevojë strategjike për politikën tonë të jashtme. Shqipëria është një aktor i rëndësishëm dhe njëkohësisht përfitues i drejtpërdrejtë i një politike rajonale konstruktive dhe të moderuar për forcimin e paqes, sigurisë, stabilitetit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit rajonal.
Shqipëria në veçanti, dhe faktori shqiptar në përgjithësi, do të vijojnë të mbrojnë përkatësinë evropiane, si dhe do të avancojnë kursin Euroatlantik. Shqipëria vijon mbështetjen e pakushtëzuar për Republikën e Kosovës për njohje të reja, për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe për afirmimin e saj në rajon e përtej. Sot, shqiptarët e Kosovës janë zot të fateve dhe trojeve të tyre, çka jep shpresë për një jetë e të ardhme më të mirë.
Shqiptarët në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi dhe kudo në Diasporë mbeten në vëmendjen tonë për ruajtjen dhe fuqizimin e identitetit kombëtar dhe garantimin e të drejtave të tyre. Samiti i Procesit të Berlinit dhe Samiti për Agjendën e Rritjes dhe Konvergjencës në Tiranë kanë forcuar angazhimin tonë për një rajon më të integruar e më pranë Evropës.
Shqipëria ka luajtur një rol aktiv dhe të qëndrueshëm në organizatat ndërkombëtare, e udhëhequr nga besimi dhe përkushtimi në vlerat e përbashkëta demokratike. Në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kemi dënuar me forcë agresionin rus kundër Ukrainës. Si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Shqipëria ka qenë e angazhuar dhe e vendosur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivel global. Aktivizmi ynë është shprehur edhe si vend anëtar në NATO. Vitin e kaluar pata mundësinë të vizitoja trupat tanë ushtarakë që, në kuadër të misioneve të NATO-s, janë dislokuar në Letoni dhe Bullgari.
Ndonëse vend i vogël, Shqipëria, brenda pak kohësh, ka arritur të jetë partner i besueshëm dhe i dedikuar për të dhënë kontributin në Aleancën e NATO-s. Kjo duket qartë edhe në hapjen së Bazës Ajrore Taktike në Kuçovë, punën për mbarimin e Korridorit VIII, si dhe vënien në dispozicion të Aleancës të portit të Porto Romanos.
Forcimi i Aleancës Euroatlantike duhet të jetë prioritet. Një NATO e fortë dhe e përbashkuar do të kontribuojë në përballjen e çdo sfide. Synimet tona në politikën e jashtme ecin paralelisht me realizimin e objektivave kombëtare dhe përballimin e sfidave që na dalin përpara. Shumë prej vendeve tuaja na kanë mbështetur nga afër në fusha të ndryshme, veçanërisht në reformën në drejtësi.
Cilësia e sistemit të drejtësisë në çdo shkallë të saj dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar mbeten prioritete kryesore. Një falënderim të veçantë kam për aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kontributin e pazëvendësueshëm që drejtësia të konsolidohet në kolonën solide të shtetit tonë demokratik. Sfidë mbetet cilësia e dialogut politik në vend. Shqipëria shquhet për dialog ndërkulturor e fetar.
Nën këtë shembull që i ka shenjuar shqiptarët ndër shekuj, uroj që edhe dialogu midis partive politike të kthehet në normalitet të jetës politike në vend. Janë arritur disa suksese të rëndësishme në këtë aspekt dhe një prej tyre është konsensusi për finalizimin e bazës ligjore për votën e Diasporës. Ky ishte një detyrim që politika ia kishte prej vitesh shqiptarëve jashtë vendit.
Falë këtij konsensusi, në zgjedhjet parlamentare të majit të vitit 2025 Diaspora shqiptare do të ketë mundësi që, me votën e saj, të kontribuojë për përzgjedhjen e alternativës më të mirë për vendin. Zgjedhjet janë një test pjekurie dhe, më shumë se rezultati, i rëndësishëm për ne mbetet respektimi dhe zbatimi i standardeve që garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme, të drejta e demokratike.
Vitin që shkoi Shqipëria u përzgjodh si destinacion turistik nga shumë qytetarë të vendeve tuaja. Kjo është dëshmi se mikpritja, zhvillimi dhe siguria japin rezultate pozitive kur gjithkush nga ne kontribuon. Turizmi mbetet një prej prioriteteve tona afatgjata të zhvillimit, ndaj shpresoj edhe në kontributin tuaj të vyer për promovimin e Shqipërisë.
Jam i bindur se edhe në këtë vit misioni juaj ka një rëndësi të veçantë. Bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe kontaktet intensive për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare kontribuojnë për një botë ku tensionet ulen dhe mbizotëron dialogu, paqja dhe prosperiteti.