​Shqipëria reagon pas shpalljes ‘non-grata’ të dy shtetasve të saj nga Serbia

Shqipëria

​Shqipëria reagon pas shpalljes ‘non-grata’ të dy shtetasve të saj nga Serbia

Më: 23 janar 2025 Në ora: 20:49
MEPJ e Shqipërisë

Ambasadori i Serbisë Slobodan Vukçeviq është ftuar sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, pas shpalljes “non-grata” të dy shtetasve shqiptarë të cilët ishin pjesë e një seminari të shoqërisë civile në Beograd.

MEPJ e Shqipërisë kërkoi nga ambasadori serb sqarime lidhur me rastin dhe theksoi nevojën që Serbia të rishikojë apelimin e vendimeve të marra, si dhe u kërkua të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

MEPJ e Shqipërisë tha ndalimi dhe largimi nga territori i Serbisë i dy përfaqësuesve të shoqërisë civile nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet për të ruajtur marrëdhëniet e mira fqinjësore, dhe se ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë.

“Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd”, thuhet në reagimin e MEPJ të Shqipërisë në Facebook.

Me argumentin se përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”, Serbia i ka ndaluar hyrjen për një vit në territorin e saj 14 përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Ceke, Rumania, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Gjatë 21 dhe 22 janarit ata ndodheshin në Beograd me ftesë të fondacionit austriak Erste për të diskutuar “strategjitë përmes të cilave organizatat jo qeveritare mundet të krijojnë të ardhura”. Një aktivitet tërësisht apolitik dhe pa asnjë lidhje me protestën antiqeveritare nisur prej nëntorit të vitit të shkuar.

Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë, ishin pjesë e të 14 anëtarëve të shoqërisë civile, të cilëve shërbimi sekret serb, në bashkëpunim me policinë, i intervistuan dhe vendosën në pasaportat e tyre vulat e ndalimit të hyrjes në Serbi për një vit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat