Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miratoi dje ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria dhe që i hapin rrugë njohjes automatike të periudhës së vjetërsisë në punë, për efekt pensioni të punonjësve të ish-ndërmarrjeve bujqësore (kooperativat) dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore të para vitit 1994.
Nga ndryshimet ligjore përfitojnë të gjithë ata që kanë punuar në ish-ndërmarrjet bujqësore apo shtetërore nga mosha 18 vjeç, deri në momentin kur janë shuar kooperativat dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.
KATEGORITE PERFITUESE
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani tha se “pr/ligji ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, të periudhave të punësimit në ishndërmarrjet shtetërore, institucione shtetërore, në ish-ndërmarrje bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore”.
Ajo shpjegoi se, për shkak të problematikave në grumbullimin e dokumentacionit të vjetërsisë në punë para vitit 1994, të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve bujqësore dhe kooperativave bujqësore, periudha të konsiderueshme vjetërsie në punë, nuk janë konfirmuar dhe nuk janë njohur administrativisht, me pasojë refuzimin e kërkesave për caktim pensioni.
Sipas saj, situata që në shumë raste kërkuesit nuk kishin periudha kontributive pas vitit 1994 dhe nuk plotësonin kushtin minimal të periudhës së sigurimit, ka detyruar shumë qytetarë t’i drejtohen gjykatave me kërkesë-padi për njohjen e këtyre periudhave, proces i cili zgjat në kohë dhe ka shpenzime të mëdha, e shpesh të papërballueshme.
Miratimi i këtij projektligji, theksoi Manjani, do të mundësojë njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, pa shpenzime për përfituesit dhe mbi të gjitha do të mundësonte përfitimin e një pensioni, të paktën sa masa e pensionit social. Manjani bëri me dije se, sipas analizës financiare kostoja e shtuar në buxhetin e shtetit në vitin e parë të zbatimit rezulton rreth 40 milionë lekë. Gjithashtu, në vlerësim të kohës mesatare të gëzimit të pensionit prej 15 vitesh, kosto për këta përfitues si rezultat i përfitimit nga ky ligj është rreth 600 milionë lekë.
Në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj, efekti total i kostove të shtuara vit pas viti deri në 16 vite rezulton në rreth 5 miliardë lekë, teksa përfitimet janë në drejtim të rritjes së sigurisë sociale dhe ndihmon në barazinë sociale. Në fund të mbledhjes, projektligji “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ishkooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e 6 sigurimeve shoqërore”, kaloi në Komision me 15 vota pro, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në votim.
Projektligji pritet të zyrtarizohet brenda 3 muajsh
Janë rreth 40 mijë persona, që mbushin çdo vit moshën e daljes në pension. Me zyrtarizimin e ndryshimeve ligjore, këta persona nuk do ta kenë më të nevojshme që t’i drejtohen gjykatës për t’ju njohur vitet e punës përpara ’94-s që ju mungojnë, pasi njohja e tyre do të bëhet automatikisht nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Gjatë diskutimit të projektligjit në Kuvend, kreu i ISSH-së Astrit Hado tha se prej kësaj nisme do të përfitojnë edhe ata, të cilët janë në procedura administrative.
“Ne e kemi diskutuar këtë gjë dhe kemi vendosur që do u njihen të gjithë atyre qytetarëve, të cilit mbushin moshën për të dalë në pension në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit dhe ata të cilat janë në procedura administrative. Që do të thotë, kush është në gjyq, kush është në ankimim administrativ, do t’i pezullojmë automatikisht procedurat e ankimimit dhe do t’ua njohim edhe këtyre njerëzve. Ndërsa, ata të cilët kanë dalë në pension, kanë shkuar në gjykatë, e kanë rrëzuar ose nuk e kanë ndjekur rrugën gjyqësore, nuk do t’u njihen. Sepse, nëse do të hapej kjo gjë, dhe do t’u njihej të gjithëve, i bie që teknikisht dhe teorikisht të rillogariten teknikisht 720 mijë pensione. Të gjithë ata që kanë dalë në pension dhe janë aktualisht pensionistë, i bie tua rishikosh nga e para të gjithëve pensionet dhe efektet financiare janë jashtëzakonisht të mëdha”, tha Hado.
Projektligji “Për njohjen e viteve të punës përpara 1994’, pritet të zyrtarizohet brenda 3 mujorit të parë të këtij viti, duke lehtësuar në këtë mënyrë praktikën për njohjen e këtyre periudhave, për efekt të llogaritjes së pensionit./ panorama