Përgatitet krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit, Rama: Projekti në bashkëpunim me Italinë, 250 mln euro për bujqësinë

Shqipëria

Përgatitet krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit, Rama: Projekti në bashkëpunim me Italinë, 250 mln euro për bujqësinë

Më: 24 janar 2025 Në ora: 11:16
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, gjatë rubrikës ‘Ç’kemi ndonjë të re?’, njoftoi se projekti për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit është finalizuar në bashkëpunim me bankën italiane Cassa Depositi e Prestiti.

Ai theksoi se ky projekt do të kalojë gjithashtu për konsultim publik.

Përveç kësaj, Rama njoftoi se është miratuar financimi prej 250 milionë euro për mbështetje të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Sapo kemi mbaruar një mbledhje për dy çështje, e para finalizimi i projektligjit për Bankën Shqiptare të Zhvillimit falë bashkëpunimit me prestigjozen Cassa Depositi e Prestiti në Itali, një institucion financiar që bënë pjesë në gjerdanin e ekselencave italiane jemi gati t’ja shtojmë Shqipërisë këtë motor zhvillimi. Projekti është bindës dhe do të hidhet së shpejti për konsultim publik, banka do të menaxhohet nga një super skuadër shqiptaro italiane dhe do të asistohet nga afër nga partnerët e Cassa Depositi e Prestiti për të garantuar një qeverisje të pavarur dhe të suksesshme.

Dhe e dyta, Banka e Shqipërisë sapo ka miratuar një linjë të re financimi për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus kryesor tek bujqësia, 250 milionë euro. Kemi diskutuar që ta mbështesim nga qeveria këtë ligj financimi edhe me një garanci sovrane, ky është volumi më i lartë i vënë në mbështetje me kredi të buta”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat