Vrasja e Lulzim Vishës, policia: Në automjetin e djegur u gjet armë e gjatë zjarri

Shqipëria

Vrasja e Lulzim Vishës, policia: Në automjetin e djegur u gjet armë e gjatë zjarri

Më: 24 janar 2025 Në ora: 16:14
Foto ilustrim

48-vjeçari Lulzim Visha është viktima i cili u gjet i ekzekutuar me armë zjarri brenda makinës së punës mëngjesin e kësaj të premte në Zall Mner. Viktima i cili punonte si postier dyshohet të jetë vrarë për shkaqe hakmarrje.

Sipas grupit hetimor, në momentin e ekzekutimit autorët dyshohet se kanë dalë përballë makinës së  Lulzim Vishës teksa dhe goditja me armë është kryer në xhamin para të automjetit. Ndërkohë, në vendngjarje janë gjetur 10 gëzhoja nga qitja me armën e zjarrit.

Nga ana tjetër, policia ka shoqëruar disa persona, mes tyre dhe të afërm të Rifat Domit i cili u qëllua për vdekje nga vëllai i viktimës në vitin 1997, ngjarje e cila dyshohet të jetë kjo shkaku i hakmarrjes që çoi në ekzekutimin e Lulzim Vishës.

Automjeti tip “Porsche” që u gjet i djegur në Zall Herr dyshohet të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes ku brenda saj është gjetur një armë e gjatë zjarri, po ashtu e dyshuar si arma e përdorur për ekzekutimin e 48-vjeçarit.

Burime policore bëjnë me dije se gjatë verifikimeve të automjetit, ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz.

Viktima Lulzim Visha rezulton të ketë qenë me precedent penal të mëparshëm, për armëmbajtje pa leje.

Vijon puna intensive nga grupi i posaçëm hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve si dhe për sqarimin e rrethanave  dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat