Rreth 100 taksistët e Elbasanit kanë protestuar sot për të kundërshtuar konkurrencën e pandershme që u bëhet nga taksitë elektrike. Protesta nisi nga stadiumi ” Elbasan Arena”, për të mbërritur më pas tek Bashkia Elbasan, aty ku taksistët kërkuan të drejtat e tyre.
“Jemi grumbulluar sot për ta bërë protestën sa më të madhe e sa më serioze. Për këtë bëhet protesta për konkurencën e pandershme, sepse kryetari i bashkisë favorizon një që e quan kompani elektrike ” El taxi”. Nuk jemi kundër të asnjë lloj shërbimi subjekti privat për sa kohë liçensimi është i lirë, kushdo mund të dalë në aktivitet taksi. Por ama ata janë ndryshe nga ne, e para janë SHPK biznes i madh, ne jemi biznes i vogël, e dyta bashkia e ka favorizuar nga taksat për tre vjet nuk paguan asnjë kokërr leku”, tha një qytetar i cili punon taksist.
Taksistët tradicionalë theksojnë se janë në prag falimentimi, pasi taksitë elektrike ofrojnë çmim më të ulët.
“Protesta do të vazhdojë, nesër, pasnesër prap, se edhe ne ushqehemi me këtë punë, lajmë detyrimet shtetit. Kompania elektrike duhet të ndahet nga vendqëndrimet tona, ata të marrin vendqëndrimet e veta. Duhet të rishikohet edhe taksimetri dhe çmimet, pasi ka 20 vjet që kur është vënë nuk ka ndryshuar fare ndërkohë që ka qenë nafta shumë herë më lirë se sot. Dhe ligji tjetër që dihet të shfuqizohet urgjentisht është kthimi i taksive boshëse, se s’ka llogjikë të vij tjetri të çoj vajzën në Rinas e ta lëmë atje se s’na lejohet ta marrim mbrapsht”, u shpreh një tjetër taksist.
Një tjetër qytetar bën disa përllogaritje duke treguar dhe ankesat që ka.
“Preken 100 taksi të Elbasanit. Unë kam 25 vjet hape niptin tim e te shumë shokve të mi që paguaj. 25 vjet për një milion e gjysmë, vete 50 milion që kam paguar shtetin. 100 % prekemi ja sot jemi këtu po edhe dje unë 8 mijë lekë kam bërë, ça do bëj me 8 mijë lekë. Unë 10 mijë lekë i jap shtetit në ditë, detyrimisht të marrë si të marrë ta djeg taksinë, nuk di ça të themi më është kot.”
Për këto ankesa ka reaguar Drejtoria e Planifikimit të Zhvillimit Ekonomik dhe Transportit në Bashkinë e Elbasanit, e cila thekson se në territorin e bashkisë Elbasan operojnë më pak taksi se sa numri i vendqëndrimeve për to.
“Në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak të janarit të vitit 2020 janë përcaktuar në total 94 vende qëndrimi për taksi 4+1, që do të thotë kemi më shumë vende qëndrimi se taksi të licensuara. Mjete taksi 4+1 me karburant apo flota elektrike janë më pak në numër se vendet e qëndrimit të përcaktuara për to në qytetin e Elbasanit. Kjo nuk sjell konflikt brenda llojit. Mund të kishim problematika vetëm nëse nuk do të kishim vendqëndrime të mjaftueshme. Nga ana tjetër përsa i përket konkurencës së pandershme, bashkia e Elbasanit bashkëpunon me Policinë Bashkiake dhe atë të Rrugore për të moslejuar taksitë e paligjshme”, ka thënë Alba Canaj, Drejtore e Planifikimit të Transportit në Bashkinë Elbasan.
Taksistët lajmëruan se do t’i përshkallëzojnë protestat në rast se nuk gjendet një zgjidhje.