Trajnimi i personelit ushtarak ukrainas, Kingji takim me ekipin britanik të “Interflex”

Shqipëria

Trajnimi i personelit ushtarak ukrainas, Kingji takim me ekipin britanik të “Interflex”

Më: 24 janar 2025 Në ora: 18:42
Pamje nga takimi

8 ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë bërë pjesë e operacionit ushtarak ndërkombëtar “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji vlerësoi rolin e rëndësishëm të këtij koalicioni, të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, në kuadër të bashkëpunimit me vendet aleate e partnere, duke ofruar përvojë të vlefshme në trajnim dhe njohuri për luftën në vijën e frontit.

“Në takim me ekipin Britanik të ‘Interflex’ për trajnimin e personelit ushtarak Ukrainas, trajtuam çështje në interes të finalizimit të kontributit të instruktorëve të Forcave të Armatosura në këto trajnime”, u shpreh ai.

Vendimi për pjesëmarrjen e FA-ve në operacionin ushtarak ndërkombëtar “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut u miratua nga Këshilli i Ministrave në fillim të kësaj jave.

Misioni është trajnimi i rekrutëve të rinj të Ukrainës, komandantëve të skuadrave deri në nivel toge për përdorimin e armëve të këmbësorisë, të xhenios, dhënien e ndihmës së parë, lidership, luftë në qendra të banuara dhe taktikë. Venddislokimi është në bazën Wretham, Norfolk, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

Kohëzgjatja e këtij misioni është një vit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat