Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim pune në mjediset e instituteve të Albanologjisë, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me drejtuesit instituteve e qendrave kërkimore të përhershme.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akademiku Skënder Gjinushi u shpreh në një postim në rrjetet sociale se e njohu Kryeministrin me ecurinë e reformës në Akademinë e Shkencave dhe rezultatet kryesore të arritura deri tani.
“Theksuam domosdoshmërinë e bashkëpunimit me Këshillin e Ministrave për zbatimin e Ligjit për Shkencën, për reformimin e sistemit të kërkimit, si dhe për nevojën e bashkëpunimit me institucionet qendrore për dhënien e ekspertizës për çështje të rëndësishme të zhvillimit të vendit si në arsim, bujqësi, energjetikë etj., në mënyrë që frutet e punës kërkimore të gjejnë zbatueshmëri”, thuhet në njoftimin e ASHSH.
Kryeministri Rama, duke vlerësuar punën e deritanishme të Akademisë së Shkencave, në drejtimin e akademikut Skënder Gjinushi, garantoi mbështetje të plotë të tij dhe Qeverisë për mbarëvajtjen dhe inkurajimin e mëtejshëm të nismave të ndërmarra për rritjen e nivelit të kërkimit shkencor në vend, duke shprehur mirëkuptim për çështjet e ngritura.