Prej disa javësh në spital, ndërron jetë në moshën 96-vjeçare kryepeshkopi Anastas Janullatos

Shqipëria

Prej disa javësh në spital, ndërron jetë në moshën 96-vjeçare kryepeshkopi Anastas Janullatos

Më: 25 janar 2025 Në ora: 07:59
Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos

Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos ndërroi jetë sot në moshën 96-vjeçare në një spital në Athinë.

Ai mbylli sytë përgjithmonë në orën 08:30 të mëngjesit si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve, ndërsa ndodhej prej javësh nën kujdesin e mjekëve në spital.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë:

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit.

Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 96-vjeçare, në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve.

Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist.

Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat