Ish-Presidenti Ilir Meta, me një mesazh ngushëllimi, shprehu dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, një figurë të shquar shpirtërore dhe udhëheqës i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
“Me trishtim të thellë dhe shumë dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos”, theksoi ish-Presidenti Meta në reagimin e tij, duke nënvizuar se humbja e Kryepeshkopit është një dhimbje e madhe jo vetëm për besimtarët ortodoksë, por për gjithë Shqipërinë.
Ai e cilësoi Kryepeshkopin Anastas një “udhëheqës të veçantë shpirtëror dhe shembull frymëzues i dashurisë ndaj njerëzve”, duke e përshkruar atë si një njeri me “vizion hyjnor dhe mençuri të rrallë” që ka dhënë gjithçka për Lavdinë e Zotit dhe për të mirën e Kishës.
Udhëheqja e tij, tha Meta, ishte vendimtare në ringritjen dhe zhvillimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri, që ka kaluar përmes periudhave shumë të vështira, duke u kthyer në një forcë që ka mbështetur besimtarët ortodoksë shqiptarë dhe ka forcuar harmoninë dhe tolerancën ndërfetare, një pasuri e paçmuar për popullin shqiptar.
Kontributi i jashtëzakonshëm i Kryepeshkopit Anastas gjatë më shumë se tri dekadave, u përmend si një moment thelbësor në ringritjen kanonike dhe shpirtërore të Kishës, arsimimin e brezit të ri të klerikëve shqiptarë dhe afirmimin ndërkombëtar të Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Ky angazhim ka pasur një ndikim të thellë dhe ka sjellë njohje ndërkombëtare për Kishën dhe vendin tonë.
“Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme për drejtuesit e lartë të Kishës dhe mbarë komunitetin ortodoks të Shqipërisë!” u shpreh ish-Presidenti Meta. Ai e përmbylli mesazhin e tij duke theksuar se trashëgimia e Kryepeshkopit Anastas do të mbetet gjithmonë e gjallë dhe kujtimi i tij do të jetë i paharruar.
“Të prehet në paqen e merituar!” përfundoi mesazhin e tij ngushëllues, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen për kontributin e Kryepeshkopit Anastas në jetën shpirtërore dhe kombëtare të Shqipërisë.