Vrasja në Kamëz/ Arrestohet një person për ekzekutimin e Lulzim Vishës, i gjendet në banesë automatik me silenciator

Shqipëria

Vrasja në Kamëz/ Arrestohet një person për ekzekutimin e Lulzim Vishës, i gjendet në banesë automatik me silenciator

Më: 25 janar 2025 Në ora: 10:40
Foto ilustrim

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin me pasojë vdekjen e 48-vjeçarit Lulzim Visha.

Ai u qëllua me breshëri arme 200 metra larg banesës së tij në Zall Mner të Kamzës, ndërsa ishte nisur në punë.

Burime të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha konfirmojnë se është arrestuar një shtetas për vrasjen e Lulzim Vishës një ditë më parë.

Mësohet se i arrestuari është E. Lami, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në ekzekutimin e Vishës. Sipas informacioneve, ka dyshime që kanë patur konflikte me tokat.

Gjatë kontrolleve, në banesën e tij janë gjetur një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë.

“Kontrolle intensive dhe punë profesionale hetimore për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, mëngjesin e djeshëm në Kamëz.

Në kuadër të kontrolleve bazuar në inteligjencën policore, Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Silenciatori”, goditën një rast të armëmbajtjes pa leje.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. L, në rrugën Paqësore, Zall Mner, Kamëz, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë .

Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 37 vjeç, banues në Kamëz., për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.

Po në kuadër të operacionit si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E. L., 31 vjeç.

Nga tërësia e veprimeve paraprake hetimore, administrimit të provave dhe fakteve, rezulton se banesa ku janë gjetur sendet e kundraligjshme është në posedim të shtetasit E.L dhe përdoret nga të dy shtetasi E.L 37 dhe E.L 31 vjec.

Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat