Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me momentin e zgjedhur për të realizuar procesin e primareve në këtë parti.
Gjatë një lidhje live për Euronews Albania, Çollaku theksoi se ai nuk është dakord me vendimin për zhvillimin e këtij procesi në prag të fushatës zgjedhore, duke e konsideruar këtë moment si të papërshtatshëm dhe të mundshëm për të shkaktuar pasoja më të mëdha sesa përfitime.
“Jemi 40 ditë para fushatës dhe ky është një moment shumë i ndjeshëm. Nuk është momenti i duhur për të pasur një garë brenda partisë. Kjo mund të sjellë më shumë ndasi se bashkim”, deklaroi Çollaku.
Ai shtoi se nuk ka asnjë kundërshtim për mundësinë e dorëheqjes së kryetarëve të degëve, siç parashikohet edhe në statut, por kohën për të zhvilluar procesin e primareve e konsideron të papërshtatshme.
Deputeti kërkoi nga Këshilli Kombëtar dhe Kryesia e Partisë Demokratike që të reflektojnë mbi emergjencën e situatës dhe të shqyrtojnë mundësinë e pezullimit të këtij procesi për momentin.
“Nuk ka asgjë të keqe që primaret e kësaj radhe të pezullohen dhe vetë Berisha, si kryetar, të përcaktojë listën”, shtoi ai, duke nënvizuar se procesi i primareve mund të sjellë ndasi brenda partisë dhe të dëmtojë unitetin e saj.
Në një apel drejtuar Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, Çollaku tha se një proces i tillë mund të zvogëlojë fuqinë e PD-së në terren, duke ndikuar negativisht në mundësitë e saj për t’u përballur me sfidat e zgjedhjeve.
“Imagjinoni çfarë ndodh nëse çdo kryetar dege jep dorëheqjen, partia do paralizohet”, theksoi ai, duke shtuar se është thelbësore që PD të fokusohet në përballjen me kundërshtarin politik, kryeministrin Rama, dhe jo me ndasitë brenda vetes.
Çollaku përfundoi duke apeluar për reflektim të shpejtë dhe për shmangien e çdo vendimi që mund të dëmtojë më tej forcën dhe unitetin e Partisë Demokratike.