Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, u shua këtë të shtunë 25 janar, në moshën 95-vjeçare, pas një periudhe të gjatë qëndrimi në spital dhe një gjendjeje të rënduar shëndetësore.
Janullatos ndërroi jetë në Athinë, në spitalin “Ungjillizimi”, ku po merrte trajtimin pas komplikacioneve të rënda shëndetësore.
Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Greke njoftoi se trupi i Kryepeshkopit Anastas do të qëndrojë për nderim publik në Katedralen e Athinës deri në mëngjesin e së hënës, 27 janar. Në ditën e diel, në nder të tij, do të mbahet një Liturgji Hyjnore në këtë katedrale.
Trupi i Kryepeshkopit pritet të transportohet përmes rrugës tokësore drejt Shqipërisë të martën, ku ceremonia e homazheve do të zhvillohet në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë.
Janullatos pësoi hemorragji gastrike, dhe pas disa ditësh trajtimi në një spital privat në Tiranë, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, duke e detyruar atë të transportohej më 3 janar drejt Athinës me një avion të Forcave Ajrore.
Pavarësisht përpjekjeve mjekësore dhe kujdesit intensiv që ai mori, gjendja e tij u përkeqësua përditë, për shkak të funksionimit të pamjaftueshëm të disa organeve.