Në emisionin “Balkan Talks” të kësaj të premte është diskutuar rreth vendimeve të Trump që nga dita e detyrës së tij si President i SHBA-së, si dhe qasja që ai ka pasur në lidhje me politikën e re të Amerikës në raport me vendet e ndryshme të botës.
I ftuar në Euronews Albania ishte Roland Bimo, ish ambasadori i Shqipërisë në SHBA i cili më konkretisht është ndalur në konfliktin Rusi-Ukrainë si dhe qasja që ka në këtë mes Presidenti Doland Trump.
“Donald Trump është mjeshtër i shfrytëzimit të fuqisë amerikane për marrëdhëniet me publikun. Amerika është fuqia kryesore e botës nga ana ekonomike, politike dhe ushtarake dhe domosdo çfarëdo që del nga Amerika është me shumë interes dhe ka lidhje direkte me mbijetesën e shumë situatave si në rastin e Ukrainës.
Shpesh udhëheqësit që duan të jenë të paparashikueshëm, siç ka thënë dhe vetë Trump që paparashikueshmëria ime i bën mirë politikës së jashtme të Amerikës, shpesh bëhen deklarata bombastike. Por të jesh bombastik dhe cinik nuk është e barabartë të jesh i vendosur dhe i zgjuar. Trump duket sikur është në kufirin e asaj politike të njeriut të çmendur”, tha Roland Bimo.
Sipas ish-ambasadorit, ne jemi në kufinjtë që Donald Trump po luan shumë fort me paparashikeshmërinë e vetë.
Por nga ana tjetër, Bimo shprehet i befasuar sa i përket qëndrimit të Trump lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë.
“Më ka befasuar aftësia e Trump për të kuptuar konfliktin Rusi-Ukrainë shumë herë më mirë se ata që do të punojnë për të. Përfaqësuesi i caktuar për konfliktin Rusi-Ukrainë, i kërkoi Trump që të shkonte që para se ai të betohej si President dhe ai e kundërshtoi këtë gjë, pasi u shpreh se do të bisedonte një herë vetë ai me Putin”, u shpreh ish-ambasadori Bimo.