Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, duke folur për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, është shprehur se programi i PD-së fokusohet te qytetari, ekonomia dhe diaspora.
Duke u ndalur te diaspora, Tabaku, nga studioja e emisionit ‘Kjo Javë’ në News24, me moderatore Nisida Tufën, deklaroi se emigrantët janë pro opozitare, ndaj sipas saj mazhoranca po bën çmos për të kontrolluar votën e tyre.
“Po fokusohemi në dy elemente; qytetari dhe ekonomia si dhe diaspora. Ecin paralelisht dhe lidhen me njëra-tjetrën. Në program ekonomie, PD ka qenë gjithmonë më superior dhe qytetarët e dinë.
Së pari, duke qenë diaspora pro opozitare dhe duke pasur këtë dinamikë, qeveria po bën çdo gjë për të kontrolluar votën e tyre.
Kjo që bëhet sot, përdorimi i ambasadave, për të cilat Berisha ka bërë dhe një kallëzim në SPAK. Ne duhet ta parandalojmë këtë gjë dhe thirrja ndaj organeve ligj zbatuese është të marrin masa tani, nesër është vonë. Kjo lidhet me ambasadat, ambasadorët, ata që kanë marrë data bazat”, tha ajo.
Sa i takon Partisë Demokratike, Tabaku tha se ka bërë dy gabime në të shkuarën; djegien e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore të 2019.
“Dy gabime që ka bërë në të shkuarën PS ka qenë mospjesëmarrja në zgjedhjet e 2019 dhe dorëzimi i mandateve”, tha ajo.
Tabaku zbuloi detaje edhe për planin e emergjencës së PD-së për 100 ditët e para nëse vjen në pushtet më 11 maj, duke thënë se fokusohet në tre shtylla kryesore; pensionet dhe minimumi jetik, rritja e pagave dhe model i ri ekonomik.
“Pani i emergjencës për 100 ditët e para bazohet në tre shtylla kryesore; pensionet dhe minimumin jetik. Rritja e pensioneve dhe vendosja e tyre në standardet e rajonit është minimumi që mund të bësh.
E dyta lidhet me pagat. Jo vetëm në sektorin publik, por edhe në privat.
E treta lidhet me modelin ekonomik dhe vendosjen e konkurrencës në bazë.
Ky plan emergjencës vendos bazat. Çmimet rriten se s’ka konkurrencë, është i kapur tregu dhe institucionet”, tha Tabaku.