DVP Vlorë/Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme, bazuar në inteligjencën policore, goditen dy raste të shitjes së lëndëve narkotike.
Shisnin lëndë narkotike, kokainë dhe kanabis, në lagje të ndryshme të qytetit të Vlorës, arrestohen në flagrancë dy shtetas.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të veprimeve operacionale për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se dy shtetas shisnin lëndë narkotike në qytetin e Vlorës, ka nisur punën për lokalizimin e tyre.
Si rezultat, në bashkëpunim dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, është bërë i mundur lokalizimi i dy shtetasve, R. D. dhe M. T., ku gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan doza me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, të cilat dyshohet se këta shtetas i shisnin në lagje të ndryshme të qytetit.
Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i shtetasve R. D., 35 vjeç, dhe M. T., 23 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.