Mesha për Kryepeshkopin e ndjerë, Anastas Janullatos në kishat ortodokse të vendit! Mbahen shërbesat e përshpirtjes

Shqipëria

Mesha për Kryepeshkopin e ndjerë, Anastas Janullatos në kishat ortodokse të vendit! Mbahen shërbesat e përshpirtjes

Më: 26 janar 2025 Në ora: 13:04
Mesha

Në ditën e parë të zisë kishtare për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, në kishat ortodokse në vend, u mbajt shërbesa e përshpirtjes.

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, dhjetëra besimtarë u bashkuan në lutje për prehjen e shpirtit të Kryepeshkopit Janullatos. Besimtarët kanë vlerësuar kontributin e  kryepeshkopit të ndjerë Imzot Anastasi, i cili ngriti themelet e Kishës Ortodokse Shqiptare.

Në mungesë të mitropolitit të Korçës, imzot Johanit, i cili u caktua nga Sinodhi i Shenjtë, kujdestar i fronit të krypeshkopit, shërbesa u mbajt nga një tjetër klerik i Mitropolisë së Korçës. Gjatë shërbesës u kujtua vepra dhe përkushtimi i Janullatos, duke u vënë theksi tek solidariteti, bashkimi i komunitetit ortodoks për të vazhduar misionin e tij.

Në Kishën e Durrësit u vendosën foto të Janullatos, ndërsa bisedat dhe lutjet e besimtarëve ishin për kryepeshkopin që për 33 vite kontribuoi në ringritjen nga hiri të besimit ortodoks dhe rindërtimin e infrastrukturës kishtare.

Në Kishën e Shën Kollit Elbasan, pas liturgjisë hyjnore u mbajt mesha e përshpirtjes për ish-Kreun e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Besimtarët ortodoksë të Elbasanit mes lotëve ndezën qirinj dhe u lutën për shpirtin e Kryepeshkopit të ndjerë. Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit e Librazhdit, At Andoni u shpreh se Kryepeshkopi Anastas do të mbetet në zemrat e të gjithë besimtarëve ortodoks për të gjithë atë çfarë ai bëri për Kishën Ortodokse shqiptare.

Dhjetëra besimtarë u mblodhën edhe në kishën e Shën Gjergjit në Fier. Mesha tradicionale e së dielës, e udhëhequr nga At Dhimitri, u kthye në një homazh të përzemërt, duke përfshirë lutje për shpirtin e Kryepeshkopit.

Besimtarët mbërritën në kishë që në orët e para të mëngjesit, duke iu bashkuar shërbesës që zgjati nga ora 7:00 deri në ora 10:00. Gjatë kësaj kohe, At Dhimitri theksoi rëndësinë e veprës së Fortlumturisë së Tij, Imzot Anastasit, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ringritjen e kishave dhe manastireve në mbarë vendin, përfshirë edhe kishën e Shën Gjergjit, ku ai hodhi gurin e parë të themelit më 7 janar të vitit 1998.

Në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër, Mitropoliti i Gjirokastrës, hirësi Dhimitri, drejtoi meshën e përshpirtjes për ndarjen nga jeta  të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas. Besimtarët kanë ndezur qirinj si dhe janë bashkuar në lutje për hir të kryepeshkopit. Mesha i mëshoi kontributit të tij për harmoninë mes njerëzve, kurajos publike për harmoni mes besimeve fetare dhe frymës së mbështetjes për më të dobëtit që mëshiroi kreu i kishës ortodokse shqiptare.

Në përfundim të meshës së përshpirtjes, në të gjitha kishat e Korçës ranë për disa minuta këmbanat.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat