Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, njëherazi bashkëdrejtuese politike e PS-së në Tiranë, zhvilloi një takim me shqiptarët, të cilët jetojnë dhe punojnë në Selanik.
Ajo kërkoi ta përdorin maksimalisht mundësinë e të votuarit në parlamentaret e 11 Majit.
“Tashmë secili nga ju do të mund të votojë nga shtëpia e tij pa ju dashur të lerë pas të përditshmen e tij për të dielën e zgjedhjeve në Shqipëri. Në këto zgjedhje të radhës në Shqipëri ju jeni të lutur të ushtroni sovranitetin tuaj dhe të jepini vendimin tuaj se kush duhet të qeverisë vendin për katër vitet e ardhshëm. Kësaj here pa qenë të detyruar të niseni me makinat tuaja apo me autobusë, por të votoni direkt nga shtëpitë tuaja ashtu siç e mendoni, ashtu siç e ndjeni”, tha Spiropali.
“Ne, socialistët ju kthyem një borxh të vonuar që politika ka pasur ndaj jush dhe kjo është vetëm një nga krenaritë e shumta që duam të ndajmë me njëri-tjetrin”, tha kryetarja e kuvendit Elisa Spiropali.
“Regjistrohuni në listën e votimit. Dëshmoni vullnetin tuaj se si duhet të qeveriset Shqipëria në katër vitet e ardhshëm. Votoni për Shqipërinë që ka ndryshuar e po ndryshon krenarisht! Votoni për projektin e Shqipërisë Evropiane të dekadës së ardhshme, qytetarë të parë evropianë të së cilës jeni edhe ju! Një dekadë e pak që ne socialistët po qeverisim Shqipërinë është dëshmia më e qartë, më e plotë se çfarë do të bëjmë më tej në vijimin e projektit tonë për shndërrimin e saj në një vend modern, demokratik, të fortë e të pandarë nga fatet e qytetarëve të tij”.
Elisa Spiropali foli edhe për kundërshtarët e PS-së në këto zgjedhje.
“Se kur ne punojmë, kundërshtarët tanë zihen me gurë me njëri-tjetrin, se kur ne ndërtojmë vizione, ata hedhin molotovë, Se kur ne flasim për projekte, ata projektojnë vetëm zi e vrer. Shqipëria e shqiptarët janë ndryshuar, disa prej tyre kanë mbetur po të njëjtët njerëz që zinë, shpifjen, mallkimin e kërcënimin e kanë bërë bukën e përditshme të politikës, ku tentojnë të strehojnë ankthet e makthet e tyre”, u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, Elisa Spiropali, tha se “nuk do të ndalemi deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pensioneve dhe kemi besim se do të gjejmë vullnetin politik të qeverisë së Greqisë për zgjidhjen e kësaj çështjeje jetike”.
“Me Greqinë po punojmë edhe për çështjen e lejeve të qëndrimit dhe procedurën e fitimit të shtetësisë me natyralizim, si ndodh në bashkëpunimin mes mjaft kombeve të qytetëruara në botën e sotme globale”, përfundoi Spiropali.