Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, do të jetë i pranishëm në ceremoninë e varrimit të kryepeshkopit Anastas Janullatos në Tiranë.
Burime ekskluzive për Top Channel konfirmojnë se kreu i qeverisë greke do të mbërrijë të enjten në Shqipëri.
Në vendin tonë pritja e trupit të Kryepiskopit të ndjerë do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, më 28 janar në orën 16:00. Homazhet do të mbahen brenda tempullit gjatë asaj pasditeje dhe të mërkurën, datë 29 janar 2025. Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.
Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 95-vjeçare në një spital në Athinë. Ai mbylli sytë përgjithmonë si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve, ndërsa ndodhej prej javësh nën kujdesin e mjekëve në spital.
Anastas Janullatos u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga Patriku i Kostandinopojës në janar të vitit 1991, ku punoi për rilindjen e kishës që ishte shkatërruar gjatë 40 viteve persekutimi nga regjimi komunist. Ai ia dedikoi jetën rindjezes së shpirtit misionar të Kishës Ortodokse dhe pas më shumë se 30 vitesh në Shqipëri, duket se ai e arriti qëllimin e tij.