Analisti Ilir Demalia ishte i ftuar në “E Diell” në Top Channel, në një intervistë ndryshe me Ed Manushin.
Ai rrëfeu një pjesë të jetës së tij gjatë periudhës komuniste dhe vështirësitë që ka kaluar në vitin 1988.
Demalia u shpreh se sigurimi i shtetit asokohe e ndaloi në mes të rrugës, e morën dhe e mbajtën të mbyllur në një dhomë për tre ditë rresht, ndërsa shtoi se rrezikonte 10 vite burg nëse dënohej.
Më tej tha se u hap dosja ndaj tij, pasi pretendohej se do të rrëzonte pushtetin me armë.
“Në vitin 1984 hapet dosja e tim ati dhe e imja. Dosja ime fillon me faktin që flas kundër pushtetit, hap literaturë të ndaluar, etj. Këto budallaqe, tentativa arratisje. Dhe përmbysjet e pushtetit me armë. Në këtë moment na hapen dosjet të dyve.
Mbas gjithë këtyre që është akumuluar dosja ime. Mblidhet zv/ministri i Brendshëm, drejtori i Drejtorisë së Brendshme, drejtoria e dytë, ajo e zbulimit për çështjen time. U japin urdhër të shihet, të grumbullohen materiale dhe të shihet për arrestimin tim dhe ndërkohë të mbahesha në mbikëqyrje. Nuk ndodhi arrestimi. Në 5 tetor 1988 u mblodhën për dosjen time që do rrëzoja pushtetin me armë. Unë flisja hapur se nuk e mendoja.
Më 1 maj 1985 fillova punë në Kinostudio dhe shkollën e lartë. Po ktheheshim nga shërbimi dhe dikush nga ata të grupit ka vënë gjinkallën në xhaketën time. Më dalin para, më ndalojnë dhe më marrin e më mbyllin për tre ditë në hotel Arbëria. Një Kol Hasa më pyet mua “e di për çfarë të kemi thirrur?”. Jo. u thashë. “Je në pozitë armiqësore me partinë dhe shtetin”, më thanë. Të paktën merrja 10 vite burg. Pelivani më thotë “Pse u zbardhe?”. U tremba, instinktivisht filluan të më dridheshin gjunjët. E mbodhi vetën, porositë e tim ati më shkonin në mendje. U them “si të mos tronditem!? Partia i dha pafajësinë babait tim, mua më dha shkollën e lartë, jam edukuar nga kjo parti”, thashë. Pelivani më tha “Ilir Demalia lëri këto, lëre shkollën e lartë, ti je profesor në ilegalitet”. Kjo ndodhi më 23 shkurt 1988. Pas tre ditësh më luan dhe më thanë “mos i thuaj Binakut”. Më pas shkova në shtëpi.“, rrëfeu Demalia.