Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili tha sot gjatë zhvillimit të punëve në Komisionin për Punët, Çështjet Sociale e Shëndetësinë se nisma për njohjen e viteve të punës përpara vitit 1994 është konkrete, por shtoi se problemi qëndron tek zgjidhja e padrejtësive.
“Nuk besoj se ka njeri që nuk e di që ligjet kanë fuqi prapavepruese, sepse ne kemi precedentë. Kjo mazhorancë ka miratuar një ligj me fuqi prapavepruese, si ai për uljen e tatimit mbi dividentin nga 15 në 8%. Kur kemi përdorur këtë normë për pasanikët që t’ua ulim pak fitimet dhe ne humbëm miliona euro, të jemi kaq në merak të madh se bëhet fjalë për njerëz me nivele pensioni shumë ë ulët këtu duhet të mendojmë ne”, tha Vasili.
Deputeti i PL shtoi se padrejtësia nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje. “Fakti që jemi këtu sepse sot na u maturuan kushtet, se po të ishin maturuar nja 7-8 vjet përpara do kishte më pak njerëz që do e kishin pësuar nuk është korrekte. Për mua një normë ndihmëse për ata që ndodhen në rrethana të ngjashme duhet të ekzistojë. Pra, me ligj t’iu njihen vitet, sepse kjo nuk është çështje prapaveprimi, por një vendosje në vend e padrejtësive. Nuk është punë llogarish, se ne nuk e kishim bërë ligjin se nuk ishte pjekur akoma koha. Fuqi prapavepruese mos e thoni më, s’mund të jetë zemra e madhe për pasanikët dhe për të varfrit jo”, nënvizoi Vasili.
Në përgjigje të deputetit të PL-së, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani tha se nuk bëhet fjalë për padrejtësi, sepse këta qytetarë u janë drejtuar gjykatave për të marrë zgjidhjen e kërkuar.
“Ne e kemi të shkruar në relacion, bëhet fjalë për 12% të periudhës kontributive të përfituesve që gjenden përpara faktit që i kanë të paplotësuara periudhat. Nëse flasim për 740 mijë pensionistë në Republikën e Shqipërisë, është një përqindje shumë e ulët e atyre që kanë pasur problematika. Kur flasim që nuk ka efekt prapaveprues, e kemi fjalën se këta qytetarë i kanë zgjidhur në mënyrë administrative gjërat. I gjithë propozimi bëhet që kjo periudhë të shkurtohet, pra që ato të mos rrinë nëpër gjyqe dhe në fund ata sigurisht që do marrin atë që u takon, plus pensionin e prapambetur”, nënvizoi Mananji.
Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado shtoi se numri potencial i përfituesve nga ky projektligj llogaritet për të gjithë pensionistë e rinj, nga dita e parë e hyrjes në fuqi të ligjit.
“Çdo vit dalin në pension 41 mijë persona që do të jenë përfitues nga ky ligj, por jo të gjithë janë përfitues faktik. Asnjeri nuk e di se sa nga këta 41 mijë janë me shkollë të lartë, sa kanë qenë agronomë etj. Kemi bërë një llogaritje dhe këtyre personave do u jepet privilegji për njohjen e viteve para ’94-ës”, tha Hado. Projektligji u hodh për votim në parim dhe u miratua me shumicë votash pro.