Një 33-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është prangosur në Kolumbi, në qytetin e Kartagjenës.
Bëhet fjalë për Almir Gjidiaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e akuzon si pjesëtar të një organizate kriminale për trafikimin e armëve.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar në “Ora e Fundit” tha se shqiptarët, të cilët janë përfshirë në trafik droge në Amerikën Latine kanë dëshmuar përshtatje të shpejtë me grupet vendase.
Ai theksoi se shqiptarët nuk janë kartele kriminale, por funksionojnë si grupe të organizuara, që bashkëpunojmë me grupet vendase.
“Kemi qenë të shkathët dhe të shpejtë për t’u familjarizuar me kartelet e asaj zone, atij territori, i cili na ka mundësuar që në çdo grup që kapet, del që ne kemi të atashuar eksponentët tanë. Kanë krijuar kanalet e komunikimeve, jo vetëm shqiptarët, por me anë të karteleve vendase. Ne s’jemi kartel. Ne jemi grup i organizuar dhe bashkëpunojmë me kartelet. Ka serbë, malazezë, ka kosovarë, boshnjakë, ka një pjesë tjetër që vjen nga lindja kryesisht”, theksoi ai.
Ai theksoi se krahas kokainë, në Evropë sillen dhe armë. Sipas Karamuços, ky është një investim i ri që bëjnë grupet për anëtarët e tyre, që veprojnë dhe punojnë në Evropë.
“Jemi grup i strukturuar, për llogari të dikujt tjetër, që na mundësojnë këto lloj rrugësh. Krahas drogës në drejtim të Evropës vijnë dhe armë. Mendoj se vjen si nevojë për të fuqizuar eksponentë e tyre në Evropë”, tha ai.