Marrëveshja Itali-Shqipëri, anija me 49 emigrantë të paligjshëm mbërrin në Shëngjin

Shqipëria

Marrëveshja Itali-Shqipëri, anija me 49 emigrantë të paligjshëm mbërrin në Shëngjin

Më: 28 janar 2025 Në ora: 07:33
Foto ilustrim

Ka mbërritur nga Italia në Shëngjin anija me 49 emigrantë të paligjshëm nga Egjipti dhe Bangladeshi. Ky është grupi më i madh i emigrantëve që zbarkojnë në vendin tonë, që pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes Itali – Shqipëri.

Emigrantët do t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor në qendrën pritëse.

Rinisja e marrëveshjes me Shqipërinë vjen pas një ndalese prej rreth dy muajsh.

Transferimi i emigrantëve në qendrat përtej Adriatikut për një riatdhesim më të shpejtë, për të cilin kryeministrja Meloni ka thënë disa herë se nuk dëshiron të heqë dorë, i është besuar anijes patrulluese të Marinës “Cassiopea”, e cila tashmë monitoron detin në Lampeduza.

Më parë gjatë periudhës tetor-nëntor, ka qenë anija “Libra” ajo që sillte emigrantët, por 20 azilkërkuesit e dërguar në qendrat e Gjadrit u liruan me vendimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Romës që refuzuan paraburgimet.

Këtë herë qeveria shpreson për një rezultat më të mirë. Tani ata që do të vendosin nuk do të jenë më magjistratët e seksionit të emigracionit, por gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, siç parashikon ligji i ri i kërkuar nga ekzekutivi dhe që ka hyrë në fuqi më 11 janar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat