Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në kuadër të programit “Kuvendojmë për Shqipërinë” vijoi sot takimet në qarkun e Elbasanit.
Spiropali diskutoi me Kryetarin e Bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi, mbi investimet për përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve sociale, investimet në shkolla, në rrjetin e ujësjellësit etj. “Po rrisim bashkëpunimin dhe mbështetjen për pushtetin vendor, me qëllim përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët.”-u shprehSpiropali.
Spiropali zhvilloi një vizitë në gjimnazin “Zihni Magani” në Peqin, gjatë së cilës u prezantuan programet informuese dhe edukuese nga Shërbimi i Edukimit Qytetar i Kuvendit.
Spiropali vizitoi disa nga klasat ku po zhvillohej mësim dhe i ftoi nxënësit të vizitojnë Kuvendin e Shqipërisë, për t’ju bashkuar programeve për të rinjtë dhe për t’u njohur me veprimtaritë parlamentare, si një rrugë për edukimin e tyre demokratik.
Kryetarja e Kuvendit dhuroi për bibliotekën e shkollës “Zihni Magani” disa botime të Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë Belsh, Arif Tafani, u diskutua mbi sfidat në sektorin e turizmit, investimeve, bujqësisë dhe mbështetjes së fermerëve, investimet në shkolla, etj.
Elisa Spiropali u takua edhe me sipërmarrës bujtinash në qytetin e Belshit, të cilët prezantuan disa prej investimeve dhe nevojat për zhvillim e turizmit në këtë zonë.