Në Gjirokastër u shënua sot 89 vjetori i lindjes së shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare.Ndryshe nga përvjetorët e tjerë 28 janari i këtij viti është i pari pa Kadarenë , i cili u nda nga jeta korrikun e vitit të shkuar. Miq të shkrimtarit vlerësojnë lart figurën e tij ndërsa në shtëpinë e lindjes kthyer në muze qindra vizitorë prekin nga afër jetën e Kadaresë dhe veprat e tij letrare.
Në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit të shquar Ismail Kadare në Gjirokastër rrjedh sot një lumë njerëzish. 89 vjetori i lindjes këtë vit është i pari pa Ismail Kadarenë, i cili u nda nga jeta, korrikun e vitit të shkuar.
“Ismaili duket se është i pranishëm dhe koha po tregon se për atë nuk ka vdekje", thotë Thanas Dino, një nga miqtë e shkrimtarit.
"Këtë kohë në të gjitha bisedat Ismaili ishte si i pranishëm. Ne flisnim për të sikur të ishte në këtë jetë, sikur të mos kish fjetur nga kjo jetë. Gjirokastra është një qytet që e ruan si në gur, pak të ftohtë por të sigurtë, njeriun. Si e tregoi koha ai është një njeri që nuk ka vdekje"
Autoriteti që krijoi Kadare, thotë më tej zoti Dino është i ngjashëm me institucionin e shtetit dhe të kombit. Ai vlerëson vecanërisht kontributin e tij për Kosovën si dhe mbështetjen e aspiratës europiane të shqiptarëve.
"Autoriteti që krijoi Ismail Kadare ishte një lloj institucioni i ngjashëm me institucionin e shtetit dhe të kombit. Maft të kujtojmë përpjekjet e mëdha të tij për cështjen e Kosovës ose orientimin e tij për ta kthyer popullin e vet në krahuan europian duke mbuluar dhe duke anashkaluar paragjykimet historike që ndodhën mbi këtë vend"
Zoti Dino thotë se vepra e Ismail Kadaresë, ndonëse është krijimtari e një shkrimtari të madh, nuk është e ndërlikuar, por përkundrazi e thjeshtë për lexuesit.
"Për veprën e tij krijuese mund të themi këtë që edhe pse është një shkrimtar i madh ai nuk është një shkrimtar i vështirë, si ka ndodhur me disa shkrimtarë të mëdhenj të botës. Përkundrazi ai është një shkrimtar i lehtë, se ka një gjuhë shumë të transmetueshme, shumë të fildishtë dhe nëntekstet e tij politike apo ideologjike që donte të kalonte janë të kuptueshme për lexuesin"
Vetë Kadare i ka bërë një shërbim të madh veprës së tij letrare duke e shpjeguar herë pas here thotë zoti Dino.
"Ismaili, sikur ta ndjente këtë gjë është një shkrimtar që e ka pajisur veprën e vet me komentarin e saj. Ai ka lënë vepra të tij në fushën e eseve apo sprovave, intervistat dhe shënime të shumta që janë shpjeguesi më i mirë i veprës së vet"
Shtëpia e lindjes së Kadaresë, kthyer në muze, është një nga objektet më të vizuata në qytetin historik që mbrohet nga UNESCO.
Shumë njohës të veprës së shkrimtarit vijnë tek shtëpia dhe lexojnë faqe nga vepra e tij, thotë udhërrëfyesi Bruno Pjetri.
"Vizitorët në masën më të madhe i njohin veprat e shkrimtarit dhe kërkojnë të mësojnë më shumë duke i parë nga afër ato që ai ka pëshkruar sidoms tek romani “Kronikë në gur” , thotë zoti Pjetri.
“Kryesisht vizitorët duan të prekin nga afër ato objekte origjinale që shkrimtari ka përmendur në romanin “Kronikë në gur”. Duan të shohin nga afër ku ka lindur gjeniu i letrave shqipe, duan të shohin nga afër sterrën e ujit, duan t`i “flasin” asaj si i “fliste” shkrimatri në fëmijërinë e tij që e përshkruan në librin Kronikë në gur” , duan të shohin burgun e shtëpisë, vendstrehimin për shkak të bombardimeve…”
Gjirokastra ishte mësuar t`i shënonte ditëlindjet e Kadaresë duke bashkuar urimet me leximet e veprës së tij.
Tani që Kadare nuk jeton më, i madh dhe i vogël në qytetin e tij të gurtë shprehin nga zemra mirënohjen për shkrimtarin e madh shqiptar dhe krijimtarinë e cmuar që ai la pas./VOA